1.
Përherë godasin pas kurrizit…
Dhembjet e mia
e përkushtimin e dashurinë
prore i keqtrajtojnë,
i shpifin gjatë mendimet që nuk thuhen
skutave të errëta të prapësirës…
2.
Djalëzia është e panjohur
nëpër të gjitha hapësirat e këngës,
ku e di unë i mjeri ç`faj kam bërë
e etja e madhe e dashurisë
plagosur rrjedhë…
3.
Laj gjak pabesie kurdoherë
rrugëve të botës
askujt nuk i kam borgj
ndër frymimet e mia për të nesërmen
për ta ruajtur
pastërtinë boreane
të maleve!…
4.
Thikat e mllefit nuk i shoh
derisa vrapoj me laps e me letër
dhimbshëm më rrjedhë
gjaku nëpër fjalë,
e sa e gjatë paska qenë
jeta e përkohshme,
bota e gjallë
me Zemër le të matë
pikëllimet prej kënge!…