Site icon PORTALB

MPJ e Shqipërisë dhe Kosovës: Asnjë shqiptar mes viktimave e të plagosurve

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë njofton se mes 4 viktimave dhe personave të plagosur nga sulmi, i cili po hetohet si terrorist, pranë Parlamentit në Londër nuk ka asnjë shtetas shqiptar.

Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar duke dënuar me forcë sulmin dhe i shpreh solidaritetin dhe mbështetjen autoriteteve dhe popullit britanik në luftën kundër çdo forme terrorizmi.

“Nga verifikimi paraprak i policisë londineze nuk ka shtetas shqiptarë midis viktimave apo të plagosurve. MPJ dhe Ambasada e Shqipërisë në Londër do të vijojnë të ndjekin situatën”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Edhe Ambasada e Kosovës në Londër nuk ka informata nëse ka shtetas kosovar në sulmin e Londrës.

Në një njoftim të kësaj ambasade thuhet se deri më tani nuk ka informacion për ndonjë shtetas të Kosovës të lënduar.

Po ashtu kjo ambasadë ka vënë në funksion një numër emergjent nëse ka informata ose kërkesa lidhur me këtë./Arbresh.info

Njoftim:
Ambasada e Kosovës në Londër është duke e përcjell me vëmendje situatën e krijuar pas sulmit terrorist afër Parlamentit Britanik. Deri më tani nuk kemi informacion që ka ndonjë shtetas të Kosovës të lënduar në këtë sulm. Ne do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në Londër dhe do të vazhdojmë ta monitorojmë situatën. Për çdo informatë ose kërkesë ofrojmë këtë numër emergjent: +447711077298.

Exit mobile version