Site icon PORTALB

Projekt i parealizuar dhe rrugë të shkatërruara në Çair

Banorët e komunës së Çairit vazhdimisht ankohen për rrugët e shkatërruara të kësaj komune, dhe thonë se vetëm në këtë pjesë të Shkupit, projektet stërzgjaten në këtë mënyrë.

Gjegjësisht bëhet fjalë për rrugën Xhon Kenedi në komunën e Çairit në të cilën vitin e kaluar filluan punimet për ndërtimin e rrjetit atmosferik të cilat duhej përfunduar qysh shtatorin e vitit që lamë pas.

“Vetëm te neve stërzgjaten kështu projektet, aq sa nuk iu mbet fytyrë funksionarëve të dalin e të përurojnë, po sa të pa fytyrë janë edhe këtë e bëjnë. Na u shkatërruan makinat, rrugët i kanë mbushur me gropa, askush nuk e din se kur do të mbulohen”, tha Lulzim I.,banor.

Rruga “Xhon Kenedi”

“Këta fillojnë kinse të rregullojnë diçka por përveç që nuk rregullohet asgjë, edhe më shumë shkaktohet dëm. Nuk e di sa sa kohë u duhet këtyre që të instalojnë një rrjet atmosferik, e të rregullojnë një rrugë?! Kjo nuk ndodh askun pos në Çair”, tha Faik O., banor.

Gjithashtu edhe aktivistja e OJQ Duam Çair të Pastër, Valbona Reka komentoi këtë projekt të papërfunduar në profilin e saj në Facebook.

“Nuk ekziston banor i Çairit që nuk kalon nëpër rrugën “Xhon Kenedi” të kësaj lagje. Po ti o kryetar i komunës, Izet Mexhiti a ec ndonjëherë këtej!? Mirë, ndoshta ti nuk ec, sepse ti je i “madh” dhe nuk të shkon ecja. Po, a e ngasish veturën këtej, në këtë rrugë ndonjëherë!? Mirë, ndoshta dhe të vozisin e ti ashtu i ulur prapa në ulëset e rrehatshme nuk i ndjen dridhjet nga gropat dhe prej xhamave të errëta të veturës nuk e sheh derexhen e rrugës dhe kaosin e trafikut… Ja pra, unë po t’i përcjell pamjet. Po, përse ore kryetar me vite të tëra kjo rrugë nuk rregullohet!? A nuk sheh sesi në mënyrë ekspeditive dhe duke i respektuar të gjitha metodat e ndërtimit modern, rrugët nga ana e djathtë e Vardarit ndërtohen!? Së paku na jep llogari, është diskriminim buxheti shtetëror në pyetje!? Nëse kjo nuk është arsyeja, atëherë mbetet vetëm përfundim i parave të parapara (sepse çdo projekt fillohet me buxhet të saktë për projektin)…nëpër xhepa të hajnave, të atyre që as pikën e idealit për civilizim të shoqërisë tonë nuk e kanë….
Fole naj fjal, o Izet Mexhiti!!!
p.s. që të mos e theni veturën këtu te udhëkryqi (foto 1) duhet të bëni asi lloj “ekzibicioni”, të jeni të lumtur nëse shpëtoni pa u aksidentuar”, shkruan Reka.

Rruga “Xhon Kenedi”

Ndërkaq kohë më parë të kontaktuar nga Portalb, nga komuna e Çairit thanë se këtë projekt e financon Qyteti i Shkupit dhe se ata duhet të japin përgjigje se kur pritet të përfundojë i njëjti.

Nga Qyteti i Shkupit, i cili është edhe realizues i këtij projekti kohë më parë thanë për Portalb, se po punohet mirëpo shkaku i kushteve atmosferike, punimet nuk kanë arritur të përfundojnë ashtu siç është parashikuar.

Rruga “Xhon Kenedi”

“Me këtë projekt i cili është në fazën përfundimtare, do të ndërtohet kanalizimi atmosferik me gjatësi prej 800 metrave në rrugët ‘Xhon Kenedi’ dhe ‘Kemal Ataturk’, me qëllim që të përmirësohet gjendja e ujërave atmosferik në Komunën e Çairit dhe kështu të zgjidhet problemi i kamotshëm i kësaj komune. Kompania që po merret me punimet premtoi që nëse kushtet atmosferike janë të mira, ky projekt do të ndërtohet në afatin e paraparë, mirëpo kjo gjë u prolongua shkaku i kohës me shi”, thanë për Portalb, nga Qyteti i Shkupit më 21 shtatorë të vitit 2016.

Rruga “Xhon Kenedi”

Ndërkaq për ndërtimin e kanalizimit atmosferik, Qyteti i Shkupit ndaj 23 milion denarë, dhe premtoi që pas përfundimit të projektit, i njëjti institucion do të merr përsipër edhe rregullimin e asfaltit të dëmtuar.

Për ndërtimin e kanalizimit atmosferik në rrugët “Xhon Kenedi” dhe “Kemal Ataturk” Qyteti i Shkupit do të investojë rreth 23 milionë denarë, ndërsa në terren do të punojnë ekipet e kompanisë “JU BAJ 2 AMET”.

Exit mobile version