Mbrëmë, në hapësirat e Çifte Hamamit të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, u mbajt promovimi i dy titujve të anëtarëve të Komisionit për Vlerësimin e Botimeve të Fondacionit Albiz, njofton Portalb.mk.
Para audiencës së dashamirëve të librit u bë promovimi i veprës “Sociologji Publike” nga Ali Pajaziti, njëherë edhe botimi më i mirë akademik i vitit 2017 i shpallur nga Komisioni i Vlerësimit të Kontributeve Akademike të Institutit Shqiptar të Sociologjisë dhe Shoqatës Sociologjike Shqiptare dhe i librit “Mbishkrimet e firmave private dhe institucioneve publike në qytetin e Shkupit” nga Mustafa Ibrahimi dhe Blerton Sulejmani.
Promovimin e librit “Sociologji publike” e bënë recensentët Hasan Jashari dhe Jonuz Abdullahu. Artikujt e botuar në këtë libër përfshijnë një gamë të gjerë problematikash që nga rinia studentore, universiteti, ksenofobia, kriza e refugjatëve në Evropë, kultura e protestës etj. Tematikat e problematizuara janë ngushtë të lidhura edhe me Maqedoninë.
Ndërsa rreth publikimit të librit “Mbishkrimet e firmave private dhe institucioneve publike në qytetin e Shkupit” folën recensentët Ismet Osmani dhe Izmit Durmishi, ku shpjeguan se në këtë libër autorët kanë bërë analizë të gabimeve të mbishkrimeve në institucionet publike në qytetin e Shkupit, si dhe te përdorimi i gjuhës shqipe në mbishkrimet e firmave private.
Publikut iu drejtuan edhe autorët e këtyre veprave, të cilët mes tjerash e falënderuan Fondacionin Albiz që e mundësoi promovimin e këtyre publikimeve.