Site icon PORTALB

Sa në të vërtetë është i rrezikshëm për Maqedoninë, programi qeveritar i LSDM-së?

Zoran Zaev

Zoran Zaev, lideri i LSDM

Kreu i Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë, Zoran Zaev para disa ditëve publikoi programin e ri qeveritar në të cilin ka kërkesa të ngjashme si të Platformës Shqiptare ku përfshihet avancimi i gjuhës shqipe, arsye kjo që presidenti Gjorge Ivanov refuzoi t’ia jep mandatin për formimin e Qeverisë. Njohësit e çështjeve juridike e kushtetuese, programin e LSDM-së nuk e shohin si dokument që cënon integritetin dhe sovranitetin e Maqedonisë, dhe kjo sipas tyre nuk lë hapësirë që Ivanov edhe njëherë të refuzojë të mandatojë Zoran Zaevin, njofton Portalb.mk.

“Programi i ri qeveritar i paraqitur nga LSDM marrë në tërësi nuk ka asnjë pikë kontestuese në kuptim të cenimit të karakterit unitar të shtetit dhe asnjë pikë e saj nuk e vihet në dyshim kushtetutshmërisht kur ato të shndërrohen në ligje. Prej këtij pozicioni mund të flitet më tepër për pikëpamje politike të këtij programi, pikat e të cilës do të shndërrohen pastaj në ligje, kur të shndërrohen në ligje atëherë mund të flasim për ligjshmëri dhe kushtetutshmëri të dispozitave ligjore të cilat do t’i aprovonte parlamenti i ardhshëm. Në këtë pikëpamje programi i LSDM-së tërësisht është në korniza të Kushtetutës dhe karakterit të Maqedonisë”, tha për Portalb.mk Naser Ziberi, ekspert juridik.

Në të njëjtën vijë qëndron edhe Bardhyl Kuka, zëvendësprokuror republikan i Maqedonisë tanimë në pension, duke shtuar se programi i LSDM-së dhe pikat e përfshira në të aspak nuk e cenojnë sovranitetin e Maqedonisë dhe se, sipas tij, arsyetimet e Gjorge Ivanovit kanë vetëm një qëllim “që të shpëtohet VMRO-DPMNE nga krimet e bëra deri më sot më qëllim që tërë këtë situatë ta dërgojë në zgjedhje të reja, ngaqë aty VMRO-DPMNE e sheh shpëtimin nga ndjekja penale”.

“Programi i ri qeveritar i LSDM-së fare nuk e cenon sovranitetin dhe unitaritetin e Maqedonisë. Të gjitha pikat e përfshira në të mund të themi se janë rutinore dhe se kanë qenë edhe më herët, prandaj nuk ka ndonjë rrezik integriteti i Maqedonisë por se tërë kjo bëhet që të shpëtohet VMRO-DPMNE nga krimet e bëra deri më sot, më qëllim që tërë këtë situatë ta dërgojë në zgjedhje të reja, ngaqë aty VMRO-DPMNE e sheh shpëtimin nga ndjekja penale. Tërë ky skenar është rezultat i Nikolla Gruevskit vetëm e vetëm për të shtyrë afatin e formimit të Qeverisë dhe në këtë kuptim t’i ikë edhe llogaridhënies për krimet e bëra” tha për Portalb.mk Bardhyl Kuka.

Se a ekziston më arsye që presidenti Gjorge Ivanov të mos ia jep mandatin Zoran Zaevit, Naser Ziberi thekson se ai nuk ka pasur të drejtë as juridike e as kushtetuese që edhe më herët të mos ia jep mandatin kreut të LSDM-së kurse sot as që duhet të vihet në dyshim mosdhënia e mandatit nga Ivanov.

“Gjorge Ivanov nuk ka pasur asnjë të drejtë që mos ta jep mandatin edhe para publikimi të këtij programi, sepse nuk ka të drejta kushtetuese që ta bëjë atë. Ai me veprimin e tij të fundit shkeli dispozitat kushtetuese të Nenit 90 të Kushtetutës sepse ai nuk ka kompetencë për vlerësim të kushtetutshmërisë së programit qeveritar. Programi qeveritar pas marrjes së mandatit mund të vlerësohet nga Parlamenti dhe në bazë të kësaj ai vlerëson formimin e Qeverisë. Presidentin nuk e vetbeson Qeverinë dhe prandaj as Kushtetuta nuk i jep të drejtë që ai të bëjë vlerësim të programit dhe përbërjes së Qeverisë”, u shpreh Naser Ziberi.

Por Bardhyl Kuka dhënien e mandatit nga Gjorge Ivanov e sheh si “procedurë solemne sesa ndonjë kompetencë që programi i ri të analizohet dhe shqyrtohet nga ai” dhe shton se “supozojmë se nëse programi është jokushtetues atë duhet ta vlerësojë Parlamenti se a duhet apo nuk duhet të votohet kjo Qeveri”.

“Gjorge Ivanov nuk ka aspak arsye që të mos ia jep mandatin Zoran Zaevit, me vonesën e dhënies së mandatit nuk bëri asgjë përveç se shkeli Kushtetutën dhe ligjin. Mund të them se dhënia e mandatit kreut të LSDM-së nga Gjorge Ivanov më shumë paraqet procedurë solemne sesa ndonjë kompetencë që programi i ri të analizohet dhe shqyrtohet nga ai. Supozojmë se programi është jokushtetues, atë duhet ta vlerësojë Parlamenti se a duhet apo nuk duhet të votohet kjo Qeveri. Por nëse Gjorge Ivanov sheh dyshime në programin qeveritar ai mund të ngritë iniciativë para Gjykatës Kushtetuese. Nëse një pikë e programit të ri qeveritar është jokushtetuese, supozojmë ligji i dygjuhësisë, ai fillimisht duhet të dekretohet nga kryetari e më pas të vihet në shqyrtim në parlament, nëse ai nuk e dekreton kthehet sërish në rishqyrtim në Parlament. Të gjitha këto veprime të Gjorge Ivanov bëhen me qëllim që Nikolla Gruevski të shpëtojë nga krimet e bëra”, tha Bardhyl Kuka.

Përndryshe, Ivanov para disa ditëve tha se me Platformën e Shqiptarëve, Maqedonia është shantazhuar dhe është peng i platformës së shtetit të huaj.

Ivanov është me një linjë me bashkëpartiakun e tij, Nikolla Gruevski i cili për gjërat e njëjta ka diskutuar me Ahmetin dhe pas mossuksesit që të arrijë marrëveshje, porositi se uniteti i shtetit ka rënë dhe se, siç tha, populli duhet të mbrohet.

Me idenë se Platforma Shqiptare cënon sovranitetin dhe integritetin e Maqedonisë udhëhiqen edhe protestat në rrugë nga simpatizantët e VMRO-së.

I tërë programi në shqip është në këtë link. /Portalb

Exit mobile version