Site icon PORTALB

Dikur gazetar, sot president- si është raporti i Ivanovit me kolegët e mëhershëm?

Gjorge Ivanov

Gjorge Ivanov është në përfundim të mandatit të dytë presidencial. Në qeverisjen e tij prej presidenti shpesh herë është përpjekur që t’iu ikë pyetjeve të kolegëve për vendimet e tija. Në periudhën shtatë vjetore për sa është president i shtetit do të mbahet mend intervista që u realizua në Vilën Vodno me kryeredaktorët e televizioneve nacionale si dhe intervista e dhënë për televizionin publik, shkruan TV 21, përcjell Portalb.mk.

Gjorge Ivanov në vend të emisioneve politike e kemi rastisur në emisione me tematikë dhe përbërje të ndryshme.

Në krizën politike në Maqedoni, Ivanov ishte aktual me vendimi për abolim të politikanëve të caktuar. Ai këtë vendim e bëri publik më 1 prill të vitit të kaluar, por tre muaj më vonë vetë e tërhoqi nga trysnia e bashkësisë ndërkombëtare.

Presidenti sërish pati sukses të nxisë reagime në publik, me vendimin e fundit të tij me mosdhënien e mandatit Zoran Zaevit për formim të Qeverisë së re, edhe pse lideri i Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë arriti të mbledh 67 nënshkrime për të siguruar shumicën e Parlamentit, të cilën ia kërkoi Ivanov në fillim të shkurtit. As për abolimin dhe tërheqjen e saj, as edhe për vendimin e fundit, Ivanov nuk dha sqarim konkret para gazetarëve, respektivisht nuk la hapësirë për pyetje pas përfundimit të fjalimit në Vilën Vodno.

Edhe pse në karrierën e tij rrallë ndan kohë për pyetje të gazetarëve, dikur edhe ai ishte gazetar në Radio Televizionin e Maqedonisë edhe atë për shtatë vjet.

Ivanov në Vilën Vodno është vendosur më 5 prill të 2009 kurse tash është në mandatin e dytë presidencial të cilin e fitoi në prill të 2014-s duke mposhtur kandidatin e  LSDM-së, Stevo Pendarovski. Zgjedhjet e 2014 pjesërisht u bojkotuan nga Bashkimi Demokratik për Integrim me thirrjen që i njëjti të mos votohet si “president konsesual”.

Exit mobile version