Site icon PORTALB

Po, në Livadhi kanë fjetur pjesëtarët e popullsisë ortodokse, ishin hyzmeqarë

Femi Arifi

Femi Arifi

Në Livadhi të Strugës kanë fjetur, madje edhe mund të kenë jetuar përkohësisht pjesëtarë të komunitetit ortodoks, por kjo ka ndodhur falë zemërgjerësisë së agallarëve, që rastësisht ose jo ishin shqiptarë ose për shkak të kërkesës ose lutjes së pjesëtarëve të këtij komuniteti që të mos largohen nga vendi i punës (punonin në tokat pjellore në pronësi të agait,) në kushtet kur vendbanimet e tyre ishin më larg vendit të tyre të punës. Ky është shpjegimi që jepnin dhe japin edhe sot banorët më në moshë të Livadhisë, kur ndonjëherë ngrihet ndonjë pretendim si ky i ditëve të fundit në lidhje me praninë e popullsisë ortodokse në këtë vendbanim në të shkuarën.

Dhe, çuditërisht këto medie në përpjekjen e tyre për të plasuar një të vërtetë tjetër nga ajo që është e vërteta, bien më keq në kallon e tyre, sepse e vërtetojnë atë që deputeti Ziadin Sela ka deklaruar në lidhje me mospërmendjen e popullsisë maqedonase para më shumë se 100 vjetëve.

Pra, vetë këto media e pohojnë se në Livadhi ka pasur popullsi ortodokse, por të cilëve çuditërisht nuk po ua përcaktojnë kombësinë. Madje, ato nxjerrin të dhëna nga libra të botuar në shekullin e XIX të cilat katërcipërisht e pohojnë atë që ngre si pretendim Sela.

Kjo sepse, në to as nuk përmendet popullsia maqedonase dhe për më tepër në Livadhi, sipas burimeve që ata i plasojnë, asnjëherë nuk ka pasur më shumë se 68 banorë ortodoks. Po, pse këta media apo porositësit e teksteve të tilla në to, nuk nxjerrin në pah se kush ishte popullsia tjetër e këtij vendbanimi në kohët që ata pretendojnë se këtu ka jetuar popullsi ortodokse.

Në këso rrethanash më e besueshme është e vërteta e livadhiasve që thonë se në Livadhi kanë fjetur apo edhe kanë banuar përkohësisht pjesëtarë të komunitetit ortodoks (nuk e thonë, ashtu si edhe mediet maqedonase, përkatësinë e tyre etnike, por vetëm fetare), por ata ishin hyzmeqarë që punonin në tokat e beut, i cli ishte shqiptar.

Exit mobile version