Site icon PORTALB

Pollozhani thotë se brenda tre vjetëve do të jetë gati objekti i UNT-së

Aziz Pollozhani

“Të gjitha hapat që kanë qenë të planifikuara disa janë aplikuar kurse disa të tjera janë në aplikim të sipërm. Siç është paraparë, objekti duhet të jetë gati brenda 3 vjetëve dhe është në procedurë për tenderim. Ashtu siç kemi thënë nga shtatori presim të vihet themeli dhe kështu kjo çështje do të zgjidhet”, bëri të ditur rektori i Universitetit “Nënë Tereza” Aziz Pollozhani, në lidhje me çështjen e zgjidhjes së pronësisë së UNT-së, gjatë shënimit të 130 vjetorit të shkollës së parë shqipe dhe një vjetorit të themelimit të UNT-së në Qendrën Informative Kulturore (QIK), raporton Portalb.mk.

Krahas mungesës së objektit vetanak të UNT-së, ai bëri të ditur se tashmë kanë siguruar objekt shtesë ku do të zhvillohen studimet e këtij universiteti. Tashmë me katin e ri të siguruar në objektin e sindikatës UNT do të ketë në përdorim gjithsej tre kate, krahas kësaj ato do të kenë në shfrytëzim edhe një pjesë të Shkollës Fillore “Kongresi i Manastirit”.

“Ne kemi siguruar edhe një kat shtesë tek objekti i Sindikatës dhe kjo do të jetë e mjaftueshme për studimet e deritanishme aktive, por gjithashtu nga shtatori do të shfrytëzojmë edhe hapësirat e objektit të Shkollës Fillore “Kongresi i Manastirit”. Tash për tash po investojmë në laboratore të cilat do të jenë të standardizuara”, tha Aziz Pollozhani.

Duke e pasur parasysh se UNT-ja do të zhvillojë programe studimore në tri gjuhë, sërish rektori Pollozhani nuk deshi të komentojë protestën e simptizantëve të VMRO-së, me arsyetimin se për të duhet të përgjigjen politikanët.

“Pyesni politikanët, un këtu jam për arsim”, u shpreh Aziz Pollozhani.

Përndryshe, sot në Qendrën Kulturore Informative në Shkup u mbajt aktiviteti i shënimit të 130 vjetorit të shkollës së parë shqipe dhe një vjetorit të themelimit të UNT-së. Gjatë kësaj ngjarje fjalim rasti patën Fatos Reka ambasador i Shqipërisë në Maqedoni, Avzi Mustafa veteran i arsimit, profesori Agim Rushiti, rektori i UNT-së Aziz Pollozhani dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës Pishtar Lutfiu.

Ky manifestim u organizua nga Universiteti “Nënë Tereza”.

Exit mobile version