Studentët e UT-së u takuan me përfaqësuesen e lartë të BE-së Federika Mogerinin

Një grup studentësh të Universitetit të Tetovës, më dje, kanë marrë pjesë në ligjëratën e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, njëherit edhe zëvendëskryetare e Komisionit Evropian, Federika Mogerini. Në këtë ligjëratë, bashkë me studentët ishin edhe Kryetarja e Parlamentit Studentor e Universitetit të Tetovës, Donika Kamberi, shefi i kabinetit të Rektorit të UT-së, Faton Shabani, si dhe profesorët Jusuf Zejneli dhe Brikend Aziri.

“Ligjërata e zonjës Mogerini me studentët u realizua pas takimit që ajo pari me udhëheqësit shtetërorë dhe liderët e partive politike në Maqedoni. Ajo kryesisht u fokusua në situatën aktuale politike në Maqedoni dhe jo vetëm. Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme Evropian, Federika Mogerini, po ashtu foli edhe për peripecitë dhe sfidat me të cilat do të ballafaqohet vendi ynë në të ardhmen, duke shtuar se përgjegjësia për të ardhmen e Maqedonisë kryesisht do të varet nga lidershipi në Maqedoni, se çfarë hapa do të ndërmarrin për të dalë nga kriza. Ajo, po ashtu tha se Bashkimi Evropian ende i ka dyert e hapura për Maqedoninë dhe këtu duhet të ketë vullnet të mirë nga ana e udhëheqësve të vendit”, thonë nga UT.

Sipas Mogerinit, Maqedonia i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian, pasi që nuk është i vetmi vend që po përballet me këtë krizë politike. Shumë vende të tjera të cilat janë pjesë e Bashkimit Evropian kanë pasur kriza të këtilla, por me vullnet të mirë, duke gjetur zgjidhje për problemet me të cilat janë ballafaquar, kanë arritur që t’i plotësojnë kriteret e kërkuara dhe sot janë pjesë e BE-së. Të njëjtin fat mund ta ketë edhe vendi juaj, në qoftë se udhëheqësit tuaj, dakordohen për një zgjidhje më të mirë të kësaj situate.

Në takimin me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini, studentët parashtruan një sërë pyetjesh rreth mundësive të Maqedonisë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, ndërsa ajo kërkoi nga studentët që sa më shumë të kyçen në projektet e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button