Në prag të 7 marsit, ditës së mësuesit, Musa Xhaferri, Zëvendës-Kryetar i Qeverisë për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, ka uruar të gjithë mësuesit e vendit.
Në telegramin e urimit të Xhaferrit thuhet se në shënim të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, u përcjell konsideratat më të larta për detyrën misionare dhe iluministe që kryeni, në arsimimin e brezave të rinj shqiptarë.
“Roli juaj prej pishtari dhe detyra prej misionari, Ju bëjnë sot të ngriheni në piedestalin e meritave kombëtare, përkrah trashëgimisë së një plejade të veprimtarëve të arsimit shqip, në dekada e shekuj”, shkruan Xhaferri.
Ai më tej në telegram kërkon që në këtë ditë feste, të përkujtohen krenarisht figurën e mësuesit të parë Shqiptar, Pandeli Sotiri, kontributi në ngritjen e arsimit shqip i të cilit nuk vlerësohet dot me asnjë fjalë a shprehje.
“Frymëzimi i tij do të kthehej në sakrificën e gatishmërinë vetëmohuese të mësuesve shqiptarë në Maqedoni, që do të nisnin mes përndjekjesh e peripecish organizimin e shkollave të para shqipe në vendin tonë”.
Telegramin e tij, Zëvendës-Kryetar i Qeverisë për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit e përfundon me rikujtimin për përpjekjet sipas tij, titanike do të kurorëzohen më në fund në ditët tona me zyrtarizimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës.
“Urime Dita e 7 Marsit!”, shkruan Musa Xhaferri.