Site icon PORTALB

Ademi: Zgjedhjet parlamentare nuk do të ndikojnë në plotësimin e cenzusit

Ademi: Zgjedhjet parlamentare  nuk do të ndikojnë në plotësimin e cenzusit

Ademi: Zgjedhjet parlamentare nuk do të ndikojnë në plotësimin e cenzusit

BDI-ja vlerëson se zgjedhjet parlamentare në ditën e njëjtë me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale nuk kanë se si të ndikojnë në rritjen e pjesëmarrjes në zgjedhjet përpresident, dhe të sigurojnë pragun e nevojshëm prej 40 % të pjesëmarrjes në votim. Duke komentuar akuzat e PDSH-së, Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së Abdilaqim Ademi thotë se bëhet fjalë për dy procese të ndara të cilat nuk ndikojnë ndaj njëra-tjetrës, për shkak se edhe evidentimi i pjesëmarrjes bëhet në regjistra të ndryshëm, transmeton Alsat. 

“Akuzat që PDSH-ja i bën, se kinse ne do të plotësojmë cenzusin për të pasur zgjedhje presidenciale të suksesshme, për ne janë të pavërteta dhe flet për cinizmin e ulët të kësaj partie. Këto janë dy procese të ndara, zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet parlamentare. Prandaj do të ketë dy regjistra të votuesve. Ata që do të votojnë për zgjedhjet parlamentare aspak nuk do të ndikojnë në rritjen e cenzusit”, deklaroi Abdilaqim Ademi, shef i shtabit zgjedhor të BDI-së.

Ademi madje, akuzoi partinë e Thaçit se me nxjerrjen e kandidatit presidencial, e legjitimon këtë proces zgjedhor. 

“Është e qartë që ata që u dakorduan në “Sushico” për kandidat të përbashkët, do të ndikojnë në arritjen e cenzusit dhe dhënien e legjitimitetit për zgjedhjet presidenciale”, tha Abdilaqim Ademi, shef i shtabit zgjedhor të BDI-së.

Iniciativa e BDI-së për zgjedhje të parakohshme parlamentare, u komentua nga PDSH-ja një ditë më parë, si shërbim ndaj VMRO-së për arritjen e pragut prej 40% pjesëmarrje në zgjedhje.

“Aktrimi kinse i konfliktit dhe mospranimi i konceptit të çoroditur të  quajtur president konsensual, po na paraqitet si shkas për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe paramendoni këto zhvillohen gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale. Shtrohet pyetja pse mu në raundin e dytë të mbahen zgjedhjet? Paramendoni BDI si palë në konflikt tash duhet të siguroj cenzusin për tu zgjedh presidenti në raundin e dytë. Ky është film i parë në 2005 dhe në 2009”, tha ditë më parë Bekim Fazliu, PDSH. 

Sipas dispozitave në fuqi, në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale nuk është e rëndësishme përqindja e daljes në zgjedhje. Në raundin e dytë zgjedhor, kur garojnë dy kandidatët me më tepër vota, nevojitet pjesëmarrje prej të paktën 40% të qytetarëve me të drejtë  vote, që zgjedhjet të jenë të vlefshme.

Exit mobile version