Site icon PORTALB

Pse e votuan 30-70 mijë shqiptarë LSDM-në?

Jakup Veseli

Jakup Veseli

Duke aluduar në fenomenin e fundit që u shpërfaq në taborin e elektoratit shqiptar të Maqedonisë, si dhe dyshimet e ngritura për arsyen e votimit të kësaj pjese të elektoratit dhe hutin për numrin e votuesve që u përcaktuan për këtë subjekt politik, vlen të theksohet fakti se shqiptarëve më shumë ju nevojitet stabiliteti ekonomik, se sa folklorizmi patriotik. E mu për këtë shkak, në këtë shkrim do të analizohen faktorët dhe stimuluesit, që shtynë këtë target të influencohet nga parafushata-fushata dhe qëndrimi i këtij subjekti, ndaj votuesve shqiptar.

Simpatia e shqiptarëve ndaj LSDM-s, filloi me hedhjen e bombave të liderit të tyre, ku ai ndër të tjera tha: “Do ta publikojmë Monstrën”, e më pas “I`a kam dorëzuar PSP-së”, e më pas inkuadrimi i gazetarit shqiptar Muhamet Zeqiri në këtë subjekt, e më vonë edhe kyçja po në këtë parti e aktivistes së njohur të shoqërisë civile znj. Gjylymsere Kasapi.

Kurse në fazën e fushatës, Zaevi e pushtoi trurin e një pjese të konsiderueshme të shqiptarëve, fillimisht duke i mësuar nevojat e tyre siç janë: zgjidhja e ujit të pijshëm, rrogat më të mëdhaja, çmimi i rrymës elektrike më i ulët, shërbimet publike më cilësore, si dhe shërbim të njëjtë për të gjithë qytetarët. Këtë moment politik, lideri maqedonas e shfrytëzoi duke thirrur në një qytetari sado të brishtë, por të ndërthurur me mjeshtëri dhe bindje për t`u gëlltitur nga elektorati shqiptar, si dhe për shkakun se partitë shqiptare nuk i përfillën këto kërkesa popullore, ngase fushata e tyre u zhvillua duke u shtyrë se: “kush është më patriot se njëri dhe cili më pak se tjetri”.

Ndërsa pas fushatës LSDM-ja u përmblodh me një heshtje, ndaj Platformës Shqiptare të nënshkruar në Tiranë, që shtroi konkluzionin, se kjo parti qoftë edhe sipërfaqësisht i vlerëson ata votues shqiptar, që e përkrahën duke mos u premtuar diçka konkrete shqiptare, por edhe kur reagoi më vonë nuk doli kategorikisht kundër dygjuhësisë, por pjesërisht nën aryetimin e `moslejimit të ndryshimit kushtetues`.

Arsyet konkrete, sipas mendimit tim, që shqiptarët votuan LSDM-në ishin:

  1. Mllefi ndaj Gruevskit.
  2. Fushata me komunikime dhe fjalime bindëse e Zaevit.
  3. Dëshira për të hyrë në punë me intervenime maqedonase, që nuk do e kishe për borxh çdoherë që e sheh t`ia ngresh dorën shqiptarit që të ka kryer punë.
  4. Dëshpërimi prej dëgjimit të bombave, ku çka nuk dëgjuan prej funksionarëve të BDI-së dhe liderit të PDSH-së.
  5. Mosbashkimi i opozitës shqiptare.
  6. Kur krijohej qeveria, vota shqiptare përfaqësohej nga partia maqedonase, kështu, këtë herë këta votues transportin e votës së tyre tek partia maqedonase, e bënë vet.
  7. Ndjeheshin mosbesues ndaj politikanëve shqiptarë, pasi shumë herë i prenë në besë, kështu thanë më mirë të votoj aty ku nuk shpresoj, sigurt do të përfitoj më shumë, ngase forca e maqedonasve në këtë shtet është më e madhe.
  8. Platforma ekonomike e Zaevit, që ishte mjaft përmbajtësore.
  9. Premtimi për uljen e çmimit të rrymës elektrike të EVN-s.
  10. Lodhja nga patriotizmi dhe valëvitja e flamurit, që mbulonte korrupsionin dhe servilizmin ndaj partive maqedonase në pushtet.
  11. Si dhe dëshira për të u treguar evropian njëri ndaj tjetrit, që në një farë mënyre ndikonte edhe në harresën e varfërisë dhe prapambeturisë arsimore-edukative, që ka kapluar substancën shqiptare të Maqedonisë.

Ajo që pritet në të ardhmen pritet të shihet se a do rikthehet personazhi i famshëm kapitalist i shqiptarit të Jugosllavisë, apo konservatizmi demokratik i shqiptarëve të Maqedonisë do i mbijetojë edhe kësaj stuhie tundimi.

Exit mobile version