Site icon PORTALB

Në Maqedoni rritet numri i personave me arsim të lartë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) njofton se numri i shtetasve të Maqedonisë të cilët kanë shfrytëzuar benefitet nga projekti 30/35 i cili tanimë për shtatë vite zbatohet në katër universitete shtetërore të Republikës së Maqedonisë është 2.000, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bëhet fjalë për një projekt që ofron qasje më të madhe në institucionet e arsimit të lartë për qytetarët e vendit qofshin të punësuar apo të papunë që për arsye të ndryshme nuk kanë pasur mundësi të pajisen me diplomë universitare.

Siç thuhet në njoftimin e MASH-it, në të cilin citohet zëvendës ministri Spiro Ristovski, qytetarët e vendit kanë shprehur interes të theksuar për drejtimet matematiko-natyrore dhe ato të mjekësisë.

“Në pajtim me gjendjen reale të tregut të punës, të njëjtat janë deficitare dhe sigurojnë mundësi më të madh për punësim dhe siguri ekonomike të individit”, ka thënë Ristovski.

“Në përputhje me raportin e fundit të Drejtorisë për Arsim të Komisionit Evropian me titull ‘Nga universiteti drejt punësimit’, përqindja e popullatës të moshës nga 30 deri në 34-vjeçare që ka përfituar arsim të lartë nga 12% në vitin 2006 është rritur në 29% në vitin 2015”, ka thënë më tej Ristovski sipas të cilit kjo dëshmon efikasitetin e strategjisë për mbështetje dhe zhvillim të arsimit të lartë dhe nxitjes së qytetarëve për inkuadrim në të.

Exit mobile version