Ekonomitë në zhvillim në Azinë Lindore të Paqësorit po rriten në mënyrë të qëndrueshme, pasi mbështeten nga vendet me të ardhura të larta, njoftoi Banka Botërore ditën e hënë.
Sipas Përditësimit Ekonomik për Azinë Lindore Paqësore, BB parashikoi një rritje të qëndrueshme për ekonomitë e Azisë Lindore, si Kina, Indonezia, Malajzia dhe Tailanda, e nxitur nga rimëkëmbja në vendet me të ardhura të larta.
“Rritja e fuqishme globale e këtij viti do të sjellë rritjen e rajonit me një ritëm relativisht të qëndrueshëm, në përshtatje me kushtet financiare botërore”, tha Axel van Trotsenburg, zëvendës presidenti i BB për Azinë Lindore dhe Rajonin e Paqësorit.
Raporti vlerësoon se rritja e përgjithshme për ekonomitë në zhvillim në Azinë Lindore do të jetë 7.1% në vitin 2014, duke rezervuar për këto vende titullin e rajonit me rritjen më të shpejtë, pavarësisht ngadalësimit që ka ndodhur, krahasuar me rritjen mesatare prej 8% në vitet 2009-2013.
Megjithatë, raporti paralajmëron se ka ende risqe në rrugën e realizimit të këtyre parashikimeve, si niveli i paparashikuar i interesit global dhe rimëkëmbja e ngadaltë e vendeve me të ardhura të larta.
Për të ruajtur rritjen dhe besimin tek tregu, BB i këshillon këto vende të rajonit që të rrisin përpjekjet e tyre që reformat strukturore të krijojnë një potencial rritjeje. /Shekulli