Site icon PORTALB

Tërmete të reja në pjesën lindore të Detit Egje

Ilustrim

Dy tërmete me intensitet prej mbi pesë ballë sipas shkallës së Rihterit sot në mëngjes janë regjistruar në rajonin e pjesës lindore të Detit Egje.

Siç njoftuan mediat greke, në rajonin e ishullit grek Lesbos është regjistruar tërmet me intensitet prej 5,3 ballë sipas Rihterit. Tërmeti, i cili ka qenë me epiqendër 15 kilometra nga bregu turk në Detin Egje, është ndjerë edhe në ishullin Hios, por tani për tani nuk ka të dhëna për dëme të shkaktuara materiale.

Mediat turke megjithatë njoftuan se një rajonin e qytetit turk Çanakkale sot paradite është regjistruar tërmet me fuqi prej 5,2 ballë sipas Rihterit, i cili ka ndodhur në thellësi prej 6,5 kilometra nën sipërfaqen e tokës. Pas këtij janë regjistruar edhe dy tërmete me intensitet prej 4,6 dhe 4,3 ballë sipas shkallës së Rihterit.

Burimet e njëjta informojnë se pas dy tërmeteve të djeshme me fuqi prej 5,3 ballë në 24 orët e fundit në rajon janë regjistruar gjithsej mbi 70 tërmete me intensitet më të dobët.

Gjatë tërmeteve të djeshme në rajonin e Çanakkales janë dëmtuar rreth 300 shtëpi dhe objekte të tjera në 12 fshatra, ndërsa të paktën pesë persona kanë marrë lëndime më të lehta.

Gjysmëhëna e Kuqe turke në afërsi të fshatit Jukarikoj ndërtoi kamp të përkohshëm prej tendave për vendosjen e personave shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar në tërmetet dhe dërgoi ndihmë për banorët lokal.

Aktiviteti i përforcuar sizmologjik në rajon shkakton shqetësim te banorët lokal, por sizmologët  bëjnë thirrje për qetësim.

Exit mobile version