Prorektori për çështje arsimore në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Fehari Ramadani doli sot para gazetarëve duke thënë se USHT është institucion i lartë arsimor i të gjitha komuniteteve dhe nuk pajtohen në asnjë mënyrq që “emri i këtij institucioni të vetëm të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë të shndërrohet në arenë të shfryrjes, larjesh hesapesh dhe përfitimit të ulët politik”.
Reagimi i tillë vjen pas akuzave të Partisë Demokratike Shqiptare se janë harxhuar para të majme në këtë Universitet nga familjarë të liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
“Universiteti Shtetëror i Tetovës është institucion i lartë arsimor i të gjitha komuniteteve, që jetojnë në Republikën e Maqedonisë, pa dallim përkatësie etnike, fetare apo politike dhe të gjitha partive politike u dëshirojmë suksese në prag të këtyre zgjedhjeve, por nuk pajtohemi në asnjë mënyrë, që Universiteti Shtetëror i Tetovës të përdoret për reklamë dhe propagandë të politikave ditore, dhe aq më tepër, emri i këtij institucioni të vetëm të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë të shndërrohet në arenë të shfryrjes, larjesh hesapesh dhe përfitimit të ulët politik” tha Ramadani, transmeton Portalb.
Ramadani më tej tha se nga qershori i vitit 2012, Universiteti Shtetëror i Tetovës ka strukturë të re menaxhuese e cila, sipas tij, tërë kapacitetin e vet ekonomik, akademik dhe intelektual e ka vënë në shërbim të gjeneratave të reja
“Kemi krijuar kushte optimale infrastrukturore dhe akademike, të cilat janë shoqëruar me rezultate evidente në konsolidimin e plotë të kushteve të studimit si: hapjen e objektit të ri universitar në zemër të qytetit të Tetovës, të cilit ia kanë lakmi edhe universitetet më prestigjioze botërore, ngritjen e laboratorëve arsimorë dhe shkencorë, hapjen e fakulteteve dhe programeve të reja studimore në përputhje me kërkesat e tregut, promovimin e vlerave të mirëfillta akademike në rang kombëtar dhe ndërkombëtar, përfitimin nga projektet e ndryshme evropiane në të mirë të komunitetit akademik, ndërkombëtarizimin e universitetit, si dhe investimet kapitale afatgjate që do të pasojnë në të ardhmen për një universitet të moderuar dhe të reformuar në përputhje me të gjitha standardet evropiane”tha Ramadani. /Portalb