Site icon PORTALB

QKSS: Gratë pjesëmarrëse në organizatat terroriste dhe rekrutuese

Policia e Kosovës

Policia e Kosovës

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, në një raport të saj të publikuar të enjten, thotë se “gratë kanë marrë pjesë në organizatat terroriste si kujdestare dhe ofruese kujdesi; kanë promovuar ideologji ekstremiste të dhunshme dhe kanë rekrutuar gra të tjera për t’u bashkuar me grupet e dhunshme ekstremiste”, shkruan Rel, përcjell Portalb.mk.

Në raportin “Gratë në ekstremizmin e dhunshëm ‘mësimet e nxjerra nga Kosova’, QKSS thotë se “që nga fillimi i konfliktit në Siri dhe Irak mes vitit 2012 dhe fillimit të vitit 2016 rreth 44 gra janë përfshirë në konflikt dhe në mesin e tyre edhe 27 fëmijë”.

QKSS thotë se “Policia e Kosovës ka njoftuar për vetëm 7 gra të kthyera në Kosovë, ndërkohë që njëra prej tyre përballet me aktakuzë dhe pret dënimin”.

Në raportin e paraqitur nga QKSS theksohet se “gjashtë gra janë te izoluara dhe pa mbështetje nga institucionet ndërkohë që disa prej tyre pasi janë kthyer në Kosovë nga vatrat e luftës, ku kanë mund ta humbin bashkëshortin, janë detyruar të martohen sërish”.

Autoritetet e sigurisë në Kosovë thonë se rreth 316 veta besohet se kanë marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme, ndërsa në zonat e luftës vlerësohet se ende ndodhen 140 veta.

Besohet se 117 veta janë kthyer në Kosovë dhe deri tash 35 veta janë dënuar nga gjykatat.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar më shumë se një vit më parë ligjin që ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja dhe parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës.

Exit mobile version