Site icon PORTALB

Çka pas trenit? Çka do të ndodhë me murin në Mitrovicë, e Ramushin në Francë?

Naim Sinani

Naim Sinani

Mos të harrojmë murin në Mitrovicë, e Ramushin në Francë. Por edhe më e rrezikshmja, lind pyetja, cili do të jetë veprimi i radhës i Serbisë? Ndoshta skenari i Krimesë në veri të Kosovës?

Treni ilegal, provokues nga Serbia, disi u ndal. Por lind pyetja, a i kemi punët për të festuar? A e kemi situatën për të rrahur gjoks, se kush ishte ai që “guxoi” t’ia ndalte trenin Vuçiqit? Mos të harrojmë murin në Mitrovicë, e Ramushin në Francë. Por edhe më e rrezikshmja, lind pyetja, cili do të jetë veprimi i radhës i Serbisë? Ndoshta skenari i Krimesë në veri të Kosovës? Apo kush e din çka tjetër mund të ketë shpikur Vuçiq, e politikanët tjerë në Beograd?

Po institucionet e Kosovës, a janë të përgatitura të përballojnë të gjitha provokimet, e skenarët që mund të vijnë nga Serbia? A janë sa duhet vigjilent drejtuesit e institucioneve të Kosovës, ndaj provokimeve nga Serbia, që po duket se nuk kanë të ndalur? Çfarë mund të bëj këtu politika dhe institucionet gjithë-shqiptare? Po politika ndërkombëtare, sa është aktualisht në favor të Kosovës, e sa në favor të ambicieve të Serbisë? Sa i shkojnë në favor Serbisë ambiciet e Rusisë, për tu imponuar gjithnjë e më shumë si faktorë kyç në zhvillimet ndërkombëtare? Shumë pyetje, të cilave urgjentisht duhet tu gjejnë përgjigje, ata që po mbajnë kolltukët në Prishtinë, por edhe në Tiranë, Shkup, e Luginë.

Dhe përgjigjet duhet gjetur sa më shpejtë, sepse duket se nuk ka më kohë për vendime me shpejtësinë e breshkës. Duhet ta kemi të qartë, breshka se ndal dot trenin, atë u deshtë ta ndal njësiti special i policisë. Dhe këtu lind pyetje, a bëhet shteti pa ushtri? Dhe rreth pyetjes së fundit, shumë politikan, e zyrtarë shqiptar në Tiranë, Prishtinë, Shkup, e Luginë, do të preferonin të flisnin për mbështetjen e miqve ndërkombëtarë. Por përgjigjen më së miri rreth mbështetjes së miqve ndërkombëtarë, e dha një analist në një televizion të Kosovës, të cilit kur gazetari i tha se edhe pse Kosova nuk ka ushtri e ka prezencën e KFOR-it, analisti iu kundër përgjigj me pyetjen, a më mirë e ruaj unë, apo ju nënën tuaj?

Përgjigje që duhet analizuar bukur mirë, sidomos nga ata që e kanë gojën plotë integrime euro-atlantike, ndërsa e kanë ngjitur prapanicën për kolltukë dhe presin miqtë ndërkombëtarë të na i kryejnë punët e shtëpisë. E fundja, kush do të donte të kishte mik dikë që si del zot vetes, e nënës së tij? Prandaj është koha të dëshmojmë se këtu ka Zot shtëpie.

Exit mobile version