Hapësira e ish kazermës Ilinden përveçse është e mbuluar me mbeturina në të nuk vërehet asnjë sinjal i ndonjë përgatitjeje për ndërtimin e objektit të ri për Universitetin “Nënë Tereza”, i cili u premtua nga vetë ministri i arsimit, Pishtar Lutfiu që gjatë këtij vitit të fillohet të ndërtohet, shkruan Portalb.mk.
Nga komuna e Çairit nën të cilën edhe bie kjo pjesë thonë se plani detal që ishte nën kompetencë të kësaj komune është përfunduar.
“Ne kishim përsipër që të përpilohet plani detal dhe i njëjti të miratohet, që gjë tani është bërë. Tani varet nga vetë MASH se kur do të fillojnë ndërtimin”, tha për Portalb, Xhengis Hani, udhëheqës i sektorit për urbanizim në komunën e Çairit.
Kurse nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), na bëjnë me dije se ende nuk ka datë konkrete se kur do të fillojnë punimet.
“Ende nuk kemi datë të caktuar se kur do të fillojnë punimet për ndërtimin e objektit të ri të universitetit ‘Nënë Tereza’”, tha për Portalb nga MASH, Safet Neziri.
Ky universitet përveç mungesës së objektit amë i cili i plotëson kushtet dhe nevojat e studentëve dhe profesorëve gjithashtu po ballafaqohet edhe me mungese fondesh pasi që buxheti i tij për vitin akademik 2016-2017 do të jetë vetëm 10 milion denarë.
Kurse sa për ilustrim, Universiteti i Shtipit dhe Manastirit do të marrin përafërsisht shumat e njëjta me ato të viteve të kaluara qe kap shumën e 4 milion e 100 mijë euro, apo rreth 251 milion e gjysëm denarë, që krahasuar me atë që i është ndarë Universitetit Nënë Tereza, është një shumë tejet e lartë.