Sulm vetëvrasës në Jemen, 6 të vdekur dhe 20 të plagosur
Në një sulm vetëvrasës në jug të Jemenit u vranë gjashtë ushtarë, ndërsa 20 të tjerë u plagosën, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas burimeve lokale, cak i sulmit vetëvrasës ishte një pikë kontrolli në provincën Abyan, i cili ndodhet në jug të vendit.
“Sulmuesi vetëvrasës ka aktivizuar mjetin shpërthyes në qarkun Al-Wade”, shpjegon burimi.
Deri më tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por mungojnë edhe prononcimet zyrtare të qeverisë jemenase.
Që kur forcat qeveritare dëbuan terroristët e Al-Kaedës nga Abyan dhe morën kontrollin, kohë pas kohe ndodhin sulme ndaj forcave të sigurisë në rajon.