Aleanca për Shqiptarët mbështeti deklaratën e përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni
Aleanca për Shqiptarët pas debateve dhe analizave të brendshme si dhe konsultimeve me Partitë që e përbëjnë Aleancën për Shqiptarët, miratoi Deklaratën e partive shqiptare në Maqedoni, njofton kjo parti.
“Aleanca për Shqiptarët në vazhdimësi ka mbështetur idenë e bashkëveprimit politik të subjekteve politike shqiptare, duke i unifikuar objektivat programore në një dokument të vetëm si bazament politik për të ardhmen politike të shqiptarëve të Maqedonisë.
Aleanca për Shqiptaret në gjithë këtë proces ka luajtur rol vendimtar, konstruktiv dhe parimor . Natyrisht që ne kemi vërejtjet tona por nuk mund të pretendojmë që një dokument i përbashkët i ndërtuar në frymën e konsensusit të përbashkët të përfshi vetëm Platformën tonë politike. Kontributi ynë në hartimin e këtij dokumenti të përbashkët të Partive politike shqiptare në Maqedoni ka qenë i domosdoshëm dhe përcaktues në interes të gjithë votuesve shqiptarë, duke i inkorporuar edhe pjesë të objektivave programore dhe politike të Aleancës për Shqiptarët.” thuhet në kumtesën e kësaj partie.