Site icon PORTALB

Deklarata e përbashkët e partive shqiptare të Maqedonisë, ja çfarë shkruan (DOKUMENTI)

Përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni, përmes një deklarate të përbashkët e dërguar dhe e miratuar fillimish nga BDI, kanë shprehur përkushtimin e tyre për realizimin e të drejtave kombëtare në mandatin e ardhshëm qeveritar nëpërmjet mbështetjes së ndërsjellë në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutën e Maqedonisë.

Partitë Shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, koalicioni “Rilindje me Besë”, Aleanca për Shqiptarët dhe Partia Demokratike Shqiptare, siç thuhet në deklaratë, angazhohen për ngritjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni në popull shtet-formues, me gjuhë zyrtare, e cila do të kishte statusin e barabartë me gjuhën maqedonase dhe zgjidhjen e shumë çështjeve tjera etnike.

LEXO: Pas BDI, edhe Rilindje me Besë mbështet deklaratën e përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni

LEXO: Aleanca për Shqiptarët mbështeti deklaratën e përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni

Ja teksti i plotë

DEKLARATË E PËRBASHKËT E PARTIVE POLITIKE SHQIPTARE NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË

Ne, perfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni: “Bashkimi Demokratik për Integrim”, “Koalicioni Rilindje me Besë” dhe “Aleanca për Shqiptarët”;

Duke respektuar vullnetin e lirë dhe demokratik të votuesve shqiptarë të shprehur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë, më 11 dhjetor 2016;

Në frymën e Marrëveshjes të Ohrit, të demokracisë konsensuale dhe nevojës për të përmbushur detyrimet normative që rrjedhin nga ndryshimet kushtetuese;

Duke riafirmuar përcaktimet programore dhe strategjike të përbashkëta të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë;

Të angazhuar për prosperitetin dhe stabilitetin afat-gjatë të Maqedonisë;

Të udhëhequr nga përkushtimi i përbashkët për paqe, stabilitet, siguri, bashkëjetesë ndëretnike, në frymën e barazisë dhe dinjitetit, sipas konventave europiane dhe ndërkombëtare, harmoni fetare dhe bashkëpunim në vend dhe rajon;

Të përcaktuar, pa asnjë alternativë tjetër, për integrim në NATO dhe në Bashkimin Europian;

Biem dakord për përkrahje të ndërsjellë të agjendës së përbashkët politike që parashikon realizimin e objektivave që vijojnë, në mandatin e ardhshëm qeverisës dhe/ose në çdo mandat tjetër pasues:

  1. Arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën
  1. Arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal
  1. Përforcimi i sundimit të së drejtës, si parakusht për ecurinë e procesit të integrimit euro-atlantik
  1. Krijimi i një fryme mirëbesimi në funksion të marrëdhënieve të mira ndëretnike si element thelbësor për stabilitetin politik të vendit
  1. Zgjidhja e çështjes së emrit, në përputhje me vlerat europiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare
  1. Marrëdhënie të mira me fqinjët
  1. Integrim i shpejtë në NATO dhe në Bashkimin Europian. 

Përmbushja e këtyre objektivave do të mbikqyret nëpërmjet krijimit të Tryezës së Partive Shqiptare Parlamentare.

Tryeza e Partive Shqiptare Parlamentare do të funksionojë sipas parimit të rotacionit dhe do të shërbejë si platformë për harmonizimin e aksionit politik dhe komunikimin transparent me partnerët ndërkombëtarë të Maqedonisë, duke kërkuar veçanërisht mbështetjen e Bashkimit Europian dhe institucioneve ndërkombëtare.

Tryeza do të përcaktojë afatet për realizimin e objektivave të sipërpërmëndura, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

Exit mobile version