Dhjetëra persona të armatosur të ndërlidhur me një grup mysliman, kanë depërtuar me forcë në një burg në Filipine, sot herët në mëngjes, me ç’rast e kanë vrarë një rojtar dhe i kanë liruar më se 150 të burgosur, ka thënë policia, shkruan REL, përcjell Portalb.mk.
Filipinet, shtet në Azinë Juglindore, me popullatë shumicë katolike, për disa dekada është e përfshirë nga kryengritjet myslimane në ishujt e saj jugor.
Personat e armatosur kanë hapur zjarr kundër rojtarëve në burgun e qytetit Kidapavan, në orët e para të mëngjesit, u ka thënë mediave një udhëheqës i burgut.
Prej 1,511 të burgosurve, 158 ia dolën të ikin nga burgu, ndërsa katër vetë u zunë nga policia.
Autoritetet po e vazhdojnë operacionin e ndjekjes.
Komandanti i grupit të armatosur i takonte Frontit Çlirimtar Islamik, thanë udhëheqës të burgut.