‘Poezia është punë e alkimistit të patëmetë’ – thotë Bodler-i. Ilhan Berk (1918-2008), alkimisti vetë, “beu skajor i poezisë”, “Ualt Uitman-i turk”, lajmëtar i lëvizjes poetike të ardhshme të emërtuar ‘İkinci Yeni’ (E reja e dytë), përkthyes i poetëve të mëdhenj Arthur Rikbaud dhe Ezra Paund, një kokë e ndritur e mendimit dhe fjalës së shkruar figurë dominante e rrymës postmoderne të poezisë turke. Berk, një vargshkrues i kalibrit botëror, tani i përkthyer edhe shqip, që në vargjet e veta përdor imazhe që tregojnë se është ndikuar nga poezia simboliste, ndërkohë është edhe një poet që mjeshtërisht sociologjizon përmes poezisë. Dashurinë, historinë, sendet e ndryshme, qytetin, sokakun e të tjera i ka shndërruar në poezi në një mënyrë të hollësishme e konkrete, pikërisht si ajo e letërnjoftimit. Ilhan Berku është një lumë shumëdegësh i poezisë që dashuron prozën, aforizmat, shkronjat, sendet, lagjet etj.
Tema e qytetit, e skajeve dhe frymimit të tij, janë nga më të shpeshtat në poezitë e tij. Berk është autor që jeton dhe shkruan për qytetin, për anonimitetin në të, për qytetin si hapësirë me më shumë njerëz të privuar nga liria, për zemrën e qytetit copë e grimë, për qytetet besnike, mizore, të gjakosura, për qytetet e bardha e të thata, për qytetet që ndërtohen në saje të dashurisë, për qytetet që duhet çliruar karshi të gjithë barbarëve. Ai flet për qytete që punojnë tërë ditën e lume, për qytete rrugët, sokakët e të cilëve vrapojnë nën urdhrin e qiellit. Tek Berku qyteti dhe poeti janë në korrelacion: Poetët kanë qytete, më së paku kanë lagjet, sokakët e vet. “Në xhepat e tyre mbajnë njerëz, qytete, lumenj, rrugë. Shëtisin bashkë me ta.” “Disa poezi krijojnë qytete nënujore.” Sipas tij ka qytete ku shkohet për të jetuar, për të vdekur. Në vijim do japim një fragment nga vepra Përmbledhje poezish, Logos-A, 2016, fq. 52-55, përkthyer nga autori i këtij shkrimi, ku Berk bisedon emocionalisht e gjallërisht me simbolin e civilizimit, me qytetin:
…
Të shikova prej pas grilave
Të pashë në dorë të skamjes e robërisë
Çdo herë ishe më i vetmuar, më i pambrojtur, më i varfër
Çdoherë i pikëlluar, i hidhëruar, i vetmuar
Të pash edhe të uritur edhe të ngirë
Çdoherë ishe i bukur me njerëzit modestë, shumë të vyeshëm e të zellshëm
Mjegullat, tymi, vaji yt ishin tonët
Para nesh qëndrojnë kështjellat, muret, kullat vrasëse
Në zemrën tënde të mirë ndalen e ikin anijet, gëzimet, hidhërimet, pezmi yt i vjetër
Kalon para nesh me shikimin tënd të pavdekshëm, me pamjen me trille, me grushtin e fortë
Prapa teje dashuritë, vdekja, punët e panisura
Ti je qyteti i dhembjes sonë të madhe
Je dora e këmba jonë
Ti, uria, pezmi, mjerimi i viteve
Ti, për të cilin këndonim këngë, thurnim legjenda
Me shekuj të tërë njerëzit kanë qenë hasret për ty
Ty të kemi pritur
Ti po kalon nëpër çarshi, shtëpi, burgje
Para teje, presin gëzime e ditë të mira
Qyteti i vuajtjes sonë të madhe
Vetëm ti je i vjetër në botën tonë
Me kullat, minaret dhe muret e kalave
Me anijet, limanet e bankat
Vetëm ti je i vjetër
Nuk vjetrohet vetëm mundi i punëtorëve
E re është vetëm puna, drita e syve dhe djersa e tyre
Je i bukur në duart e tyre
Dora, syri, nuri, zemra e ngrohtë e tyre
Të prek çdo pjesë tënden
Qytet i popullit të zellshëm
Shtetet, kombet, vatanet kaluan, mbeti vetëm e mira
Kaluan vetura, njerëz me grada, të tjerë të mërzitur e të lënduar
Tregtia, politika, historia, një grusht mirësi, kaluan njerëz të çdo race
Prapë vetura, njerëz të dobët e të trashë, të gjatë e të shkurtër, të shëndoshë
Dallkaukët, vdekja, trysnia, erdhën një pas një
Poetë, të pasur, të varfër, ia behën armiq të lirisë nga të gjitha sojet
Askush s’ta dha hakun
Të dashuruan të gjithë, të rinj e pleq, popuj të çdo race
Çdokush që erdhi, të dashuroi, u lidh me ty, të braktisi e iku
Çdokush që erdhi la qostek, pranga e zinxhirë të rinj
Çdo njeri që erdhi shijoi urinë, hidhërimin, makinat, muret
Edhe më tepër zgjeruan zandanët, vetminë e ashpër, mjerimin
Të lanë si ishe e ikën luftërat, paqja, njerëz të çdo lloji
Ti, muret e pikëllimin tonë edhe më tepër i forcove
Ti e more trysninë që brez pas brezi forcohet e bëhet e pavdekshme
Kështjellat i forcove dhe më tepër me dije të reja
Kështu, ty çdoherë me urinë tonë të gjenim më të përtërirë, më të shëndoshë
Pikëllimi ynë s’u pakësua as një ditë
As një ditë s’e harruam veten
Ti, qyteti më i pafat
Në çdo anë u shpërndanë me bollëk të këqijat, fëlliqësirat
Kaluan mbretër, sulltanë, perandorë
Njerëzit e rinj themeluan kombe të reja, shtete e qytete të reja
Këtë radhë, i fshinë e i bënë pikë e pesë të këqijtë
Ti, qyteti më i pafat
Vetëm ti je i vjetër në botën tonë
Vetëm ti je i vjetër në botën tonë
Ty të presim me shekuj plot vuajtje, pikëllime e zullume të pafundme
Vetëm ti i nget vazhdimisht të krisurit, budallenjtë, shërbëtorët e tu
Pas teje, të këqijat, vuajtjet të panumërta e të rënda
Pas teje me qëndrueshmëri presin fytyra të ngathëta e të brengosura, shkujdesje
Ah, dhunti ku je
Ah, shpresë
Ah, shpëtim
Ah, fëmijë, gra, burra, këngë, paqe
Tani e tutje, me ty, para teje përkulje, lutje
Tani e tutje, punët, shtetet, tokat, republikat janë me ty
Tani e tutje, poetët e pavdekshëm të botës janë me ty
Tani e tutje, ndal fëlliqësive, ndyrësive, dhunës
Ndal kusarëve, baltës, prangave, zgjedhës
Ndal, zinxhirëve, ditëve të zeza, ndal një herë e përgjithmonë!
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.