Site icon PORTALB

Işık: Nuk ka shkelje në përmasa që mund ta rrezikonin armëpushimin në Siri

Alepo, Siri

Siri

Nuk ka shkelje në përmasa të cilat do të mund ta rrezikonin armëpushimin në Siri, deklaroi të shtunën ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Fikri Işık, raporton Anadolu Agency (AA).

Komentet i bëri gjatë qëndrimit në provincën turke të Sirnakut ku është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në këtë temë.

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm lidhur me këtë çështje”, tha Işık për të shtuar se bashkë me palën ruse, ata janë në ndjekje të vazhdueshme të situatës atje, në mënyrë që të hapet rrugë për zgjidhje politike të së ardhmes së Sirisë.

Armëpushimi mbarëkombëtar në Siri hyri në fuqi më 30 dhjetor, pas një marrëveshjeje të arritur mes Turqisë, Rusisë dhe qeverisë së presidentit sirian Bashar al-Assad.

Në kuadër të armëpushimit, palët ndërluftuese u zotuan të ndalin sulmet e armatosura nga toka dhe ajri, si dhe të mos tentojnë zgjerimin e territoreve në dëm të palës tjetër.

Më herët gjatë ditës së sotme, opozitarët e armatosur të cilët janë palë e armëpushimit i cili hyri në fuqi mesnatën e djeshme në Siri, kanë akuzuar se ushtria e Bashar al-Asadit dhe grupet e huaja terroriste mbështetëse të regjimit nuk po e zbatojnë armëpushimin.

Opozitarët i kanë bërë thirrje Rusisë e cila është garantuesja e forcave të regjimit që të kalojë në veprim.

Exit mobile version