Site icon PORTALB

Inaugurohet objekti i Qeverisë së Kosovës në veri të Mitrovicës

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, sot ka inauguruar objektin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në komunën veriore të Mitrovicës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit thuhet se ky proces shënon shtrirjen dhe konsolidimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës edhe në pjesën veriore të vendit, në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës dhe si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit.

Me këtë rast ministrja Edita Tahiri ka deklaruar se puna e institucioneve qendrore në pjesën veriore të vendi ka filluar pas një periudhe disamuajshe të përgatitjeve intensive të bëra nga Ministria për Dialog dhe Ministria e Administratës Publike si dhe me angazhimin e të gjitha institucioneve dhe në veçanti të mbështetjes së Zyrës së Kryeministrit.

Tahiri ka bërë të ditur se në këtë objekt i cili ndodhet në komunën veriore të Mitrovicës, do t’i kenë zyrat 15 ministri dhe agjenci qendrore, ku do të punojnë 105 zyrtar të punësuar në këto institucione.

Ndërkaq, gjatë takimit me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve që kanë filluar sot punën në komunën e Mitrovicës veriore, ministrja Tahiri ka vlerësuar lartë angazhimin e institucioneve të Kosovës për fillimin e mbarë të punës së zyrave. Në takim është diskutuar edhe për koordinime sa më të mira për mbarëvajtjen e punës dhe vijimësinë e rregullt të të punësuarve.

“Po ashtu edhe një objekt tjetër i Qeverisë së Kosovës do të hapet pas vitit të ri në komunën e Zubin Potokut dhe një tjetër në Leposaviq me të cilat do të plotësohet tutje progresi në shtrirjen e sovranitetit në pjesën veriore të vendit i cili është i një rëndësie strategjike”, bëhet e ditur në njoftim.

Duke theksuar se që nga fundi i luftës Kosova është ballafaquar me sfida të ndryshme në këtë pjesë të vendit, Tahiri së fundi ka shprehur se tashmë janë duke shtrirë dhe konsoliduar sovranitetin e shtetit edhe në këtë pjesë të vendit, ku po integrohen pjesëtaret e komunitetit serb në sistemin e Republikës së Kosovës.

Ajo për këtë gjë iu është falënderuar dialogut të Brukselit dhe marrëveshjeve të arritura me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar.

Exit mobile version