Site icon PORTALB

UNITETI APO PLURALIZMI

Dervish Alimi

Dervish Alimi

Uniteti sipas definicionit është karakteri i asaj që është unike, në krahasim me pluralizmin, që definohet si regjim apo sistem politik i përbërë nga disa parti, disa trende.
Fjala unitet ka lëshuar rrënjë të thellë në vokabularin tonë falë historisë së turbullt përplot trazira dhe konflikte ndërmjet popujve gjatë shekujve, kur fjala unitet ka nënkuptuar ‘bashkim’ të gjithë popullit karshi pushtuesit apo armikut.

Kjo fjalë kaq e fuqishme semantike është shfrytëzuar maksimalisht edhe nga sistemi i mëparshem komunist i cili në emër të unitetit, i ka luftuar deri në zhdukje jo-bashkëmendimtarët dhe ithtarët e partive të tjera, me pretekstin se ata kishin qenë për shkatqrrimin e shtetit, si armiq të brendshëm në bashkëpunim më armiqtë e jashtëm, të cilet nuk ia kanë dashur të mirën vendit dhe sistemit, duke mos hezituar t’i shpallnin edhe tradhëtarë apo kolaboracionistë në sherbim të interesave të huaja.

Mbeturinat e këtij fjalori i dëgjojmë akoma në disa televizione vendore edhe atë mu nga nostalgjikët e këtij sistemi që ëndrrojnë akoma në rikthimin e bllokut prorus apo komunist dhe e kanë gojën plot për bashkim kundër nesh shqiptarëve, si armiq kujdestarë të shtetit maqedonas, duke i mprehur thikat e gjata dhe na mallkuar per prishjen e unitetit të trungut maqedonas dhe duke i fajësuar bashkëkombasit e tyre që “kolaboracionuan” me shqiptarët e “mallkuar”, dhe ua prishën atyre idilën e lumturisë që vjen nga parajsa e pushtetit të pafund përplot begati dhe pasuri të paimagjinueshme.

Siç mund ta shohim, fjala unitet është këqperdorur ndër vite dhe ka trazuar rregullisht ndjenjat e gjeneratave të tëra, të cilat edhe kanë pësuar keqas si pasojë e keqinterpretimit semantik dhe shpërdorimit politik të kësaj fjale sa të fuqishme aq edhe të kobshme.
Për dallim prej trumbetimit të paskrupullt dhe abuzimit të pamëshirshem të kësaj fjale nga ana e pushtetarëve të sotëm neokomunistë, në anën perëndimore të botës
demokratike, kjo fjalë nuk ka gjetur shumë hapësirë për ‘dalldisjen’ dhe manipulimin e shtetasve të tyre, edhepse kjo fjalë edhe e ka origjinën nga këto anë (shih “unité”).

Por ata që e kanë shpikur të parët këtë fjalë e dijnë edhe kuptimin fillestar të saj, kështu që me krijimin e kësaj fjalë ata nënkuptojnë unitet në respektimin e ligjeve dhe kushtetutës, dhe të shtetit si kujdestar i zbatimit të saj. Fjala unitet, nuk don të thotë sipas tyre, që të gjithë duhet të mendojnë njësoj si lideri i pakontestueshëm në krye të shtetit apo partisë, por bashkim rreth vlerave të demokracisë pluraliste, ku mendimi ndryshe shihet si vlerë dhe promotor i përparimit ekonomik dhe shkencor.

Laramania dhe konfrontimi cilësor i ideve dhe vizioneve për çështje të caktuara politike rezulton me përzgjedhjen e idesë optimale për rastin konkret, edhe atë mu nga shumica kuantitative e atyre që ngrejnë gishtat për versionin përkatës, dhe ky është në fakt edhe gurthemeli dhe motori i demokracisë shumëmendimëshe, e cila nuk nënkupton garë dhe konkurrencë të pakontrolluar idesh dhe mendimesh, por garim mendor për gjetjen dhe përqafimin e idesë më të mirë që duhet pranuar nga shumica dërmuese, që nuk duhet të jetë domosdoshmërisht e servuar nga lideri i pakontestueshëm dhe nga mendja e ndritur e ‘babait’ apo ‘birit’ të kombit.

Shikuar nga kjo perspektivë, domethënia semantike e fjalës ‘unitet’ duket se ka humbur kuptimin e saj fillestar në trojet tona, sepse duket se nuk e kemi kuptuar “fëren e mbjelljes dhe të kultivimit të saj ” apo “reçetën” origjinale për gatimin e saj në kuzhinat ballkanike.
Kuptimi i saj fillestar, falë procesit gjuhësor të “huazimit të shtrembëruar” të fjaleve nga ata qe nuk e kanë ditur domethënien e saj burimore, ka krijuar domethënie të re në rrethanat tona, ku fjala unitet, ka fituar domethënien e “të gjithë duhet të mendojmë njësoj (si lideri!)”, ku mendimi ndryshe nënkupton ‘herezi’ apo “rebelim”, që duhet ndëshkuar dhe anatemuar si prishës i unitetit fanatik, dhe bashkëpunëtor i kaosit dhe anarkisë.

Mund ta marrim me mend ku dhe si do të ishte sot bota, nëse të gjithë do të ishin bashkuar ndaj unitetit të mbretërisë, unitetit të fesë, unitetit të sistemit ekonomik dhe të mendimit shkencor, që detyrimisht do të kishte rezultuar me stagnim dhe status quo, apo thënë më thjesht, me ndaljen e kohes dhe zhvillimit apo përparimit që si ’emërues të përbashkët’ ka pasur mendimin ndryshe, kontestimin e ideve të mëparshme, dhe përqafimin e ideve të reja, të cilat në fillim janë dukur të panjohura por që më vonë janë deshmuar si më të mira, por që kurrë s’kanë marrë epitetin e të pandryshueshmes dhe të pakontestueshmes.

Shikuar ne kontekstin aktual të politikes shqiptare në Maqedoni, kjo fjalë edhe sot krijon emocione të përziera, dhe të gjithë apelojnë njëzëri se partitë politike duhet të bashkohen karshi kampit tjetër maqedonas, i cili i ‘rrezikuar; nga një bashkim i tillë do të detyrohej ta bënte të njejtën gjë si kundërreagim emocional ndaj unitetit të palës tjetër.

Ky eshte pra shkaku që një bashkim i tillë fizik nuk është i domosdoshëm, sepse për të realizuar një ide apo vizion politik, nuk është i domosdoshem bashkimi i të gjithëve kundër të gjithëve, por bashkimi i atyre që përbëjnë shumicën rreth një ideje apo “doktrine” fisnike që kërkon zbatimin momental, dhe këmbëngulja e tyre e palëkundur për ta çuar këtë deri në fund, duke i ‘detyruar’ kësisoj edhe të tjerët me dashje apo pa dashje, të japin aprovimin për përkushtimin e vërtetë të atyre që pretendojne realizimin e objektivave të përbashkëta proshqiptare.

Nëse qëllimi është bujar dhe i sinqertë, nuk do të mungojë perkrahja e të gjiithëve për t’i dhënë shtytje realizimit të këtij qëllimi të drejtë dhe fisnik. Por çka nëse ky qëllim i paketuar dhe amballazhuar bukur, ka në brendinë e vet, qëllimin tinëzar të ruajtjes ss status quo-së dhe stagnimit, dhe jo të perparimit të interesave tona nacionale? A nuk do të ishte kjo edhe një tentativë për unitet të rrejshëm, kur ky bashkim nuk është i domosdoshëm, kur dihet se në politikë mjaftojne votat e shumicës, dhe jo të të gjithëve, për të marrë vendim për realizimin e një projekti të planifikuar, nq cilqndo qoftq lqmi.A nuk do të ishte kjo edhe një tendencë e rradhës për t’u hedhur pluhur syve atyre që mendojnë ndryshe, apo që kërkojnë përgjegjësi për kohën e humbur, dhe që në këtë bashkim shohin gjetjen e arsyetimit për shfajësimin e dështimeve të deritashme politike, të atyre që sot me aq ngulm kerkojnë me fjalë bashkimin, por që me vepra dëshmojne të kunderten?

Mbetet të shohim kush ka pasur të drejtë, deri sa të vijë në ‘podium’ gjykatësi i mirëfilltë i të vërtetës, që e ka emrin “koha”, sepse ky është i vetmi fenomen që u ka rezistuar dhe mbijetuar gënjeshtrave dhe herët a vonë, e ka nxjerrë ne shesh të vertetën. Vetëm se tani koha hapëron me galopim, dhe nuk punon për gënjeshtarët dhe mashtruesit, por vetëm për ata që flasin të vertetën, pa dorëza dhe pa hamendje!

Exit mobile version