Site icon PORTALB

Në vend të  përqafimit, nga larg

Gjokë dhe Kristjan Dukaj

Gjokë dhe Kristjan Dukaj

Njerëzit   e medias  e kanë obligim që me punën e vet të vlerësojnë të arriturat e kujtdo qoftë sepse  është në interesin më të gjerë.  Sidomos të atyre që veprojnë dhe krijojnë publikisht, viti dhe dekada me radhë, por asnjëherë në dëm të askujt. Andaj, mund të ndodhë që njeriu të përjetoj të shkruaj edhe për më të afërmit e vet dhe kjo, s’ka dyshim, paraqet kënaqësi të veçantë. Çastet dhe momentet e këtilla vështirë se mund të përshkruhen por, së paku, një pjesë e saj meriton të gjendet në rreshtat e ndonjë shkrimi, pavarësisht.  Sidomos nga ata të cilët kohë pas kohe janë të pranishëm  me ndonjë punim të vetin në  gazeta, revista apo mjetet tjera të sotme të komunikimit masiv.

Lajmi i para disa ditëve se Gjokë Dukaj, është fitues i çmimit vjetor për gazetari  nga RTV i Malit të Zi, më gëzoi, jo vetëm si të birin e tij  por,  në radhë të parë, si njëri që e din më së miri me sa përkushtim e kryeni punën e gazetarit gjithë këtyre viteve. Andaj, pasi  për shkak të obligimeve në shkollim ndodhem larg për ta përgëzuar drejtpërdrejt  nga afër më të dashurin tim, përmes këtij përqafimi  me shkrim  nga Sarajeva, dëshiroj të shprehi  kënaqësinë  time  për këtë mirënjohje të lartë dhe , njëkohësisht , t’i falënderoj të gjithë ata që këtyre ditëve më përgëzuan për mirënjohjen e fituar. Aq më parë, pasi dashuria e babait tim për këtë profesion është vërtet e pafund. Këtë e  dinë më së miri kolegë e bashkëpunëtor të tij me të cilët ai punon dhe ka punuar në media të shumta, të shkruara dhe elektronike. Ata, e dinë më së miri përkushtimin e tij për punë  të cilën e  don  pa kushte.

Ashtu siç ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunoj  me redaksi të shumta brenda dhe jashtë Malit të Zi, e sidomos  me ato të mërgatës sonë, gjithmonë me kënaqësinë më të madhe dhe emocione të thella për gjeneratën dhe gjakun e  vet.  Pa kurrfarë qëllimi të përshkruaj qoftë edhe pjesën më të vogël  të punës së përditshme të tij, përjetimi im me rastin e  ndarjes së këtij çmimi shkon përtej asaj dashurisë prindërore duke më prekur atë që kam trashëguar nga fëmijëria, dashurinë për punë  dhe për njerëzit. Për njerëzit tonë të thjeshtë, modest dhe të natyrshëm, të cilët babi i shënoi përmes materialeve të shumta gazetareske, të shkruara apo të filmuara, duke u dhënë kështu përjetësinë dukurive, fenomeneve dhe ngjarjeve të shumta nga e kaluara jonë  sa e lashtë po aq e lavdishme dhe e bukur.

Është kjo vetëm një pjesë nga puna e përditshme  e gazetarit i cili misionin e vet e kupton si gjurmim nëpër të kaluarën dhe, njëkohësisht , ndonjë gjurmë, qoftë edhe modeste, për të ardhmen. “Nuk punohet  për shpërblime por, pa punë ato s’mund të vijnë”! Kjo thënie jotja më tingëllon fuqishëm, njëjtë sikur dashuria për ty! Urime!

Exit mobile version