nimfa i afrohet derës së hapur
të tempullit
pranë njëmijë burimeve
dhe e përlotur
shkruan në gjethin e madh
të labotit
rrënjët e lisave
kanë nisur të kalben
gurët e leranës
i ka mbuluar myshku e lëmashku
dhe janë zhveshur nga dheu i butë
e nga lulet
iris illyrica
monopatin e kanë mbuluar ferrat
duken plot shega të çara
të derdhura nëpër mështeknajë
dhe shpërndahet një shushurimë nëntoke
e ethshme
flenë fshatrat e malësisë
rrezinave
fle pasdita
s’i shpërgjum
as kori i bilbilave të frikësuar
as zërat e arushave të vogla që kërkojnë ndihmë
as zukama e luzmës së bletës
as dhelpra e frikësuar që ikën
nga të rënat e sëpatës pranë strofullit të saj
as vaji i dhembshëm i euridikës
nga errësira e hadit
as poemat e mitrush kutelit
që i reciton hija e poetit
të vdekur
nimfa çohet
ia thotë qetas
vajit të avdisë
e ndjehet si mbretëreshë
e shfronësuar
e mështekna rrëzohet vetvetiu
Poezi nga Lindita Ahmeti nga libri i saj më i ri “Mështeknaja e babait”