Site icon PORTALB

Identifikohen 49 lokacione ku janë dhunuar femrat

Identifikohen 49 lokacione

Identifikohen 49 lokacione

Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë i Ministrisë së Drejtësisë ka identifikuar 49 lokacione në nivel vendi ku janë kryer dhunime ndaj femrave gjatë luftës në Kosovë. Të dhënat e para sipas Institutit flasin se numri i femrave të dhunuara, është më pak se 20 mijë.

Akademiku Nushi po udhëheq dy nga projektet më të rëndësishme të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, krimin me të zhdukurit dhe dhunimin e femrave. Ai thotë se krimi që regjimi serb kreu ndaj shqiptarëve nuk po dënohet mirëfilli.

“Ajo që kemi mbërritur deri tash të konstatojmë janë vendet ku janë kryer dhunimet seksuale. Janë 49 vendet të identifikuara plotësisht. Llogarisim se në këto vende nuk mund të jenë 20 mijë femra të dhunuara sa supozohet. Duhet të jenë më pak”, i ka thënë Nushi Radio Kosovës.

Krahas kësaj ekipi i tij tashmë ka mbledhur dhe sistematizuar të dhënat rreth personave të zhdukur, të të gjitha nacionaliteteve në Kosovë.

Në nivel të Bashkimit Evropian po shqyrtohet themelimi i një Tribunali, për krimet në Kosovë. Në zemër të konceptit të këtij Tribunali është ideja që individët mund të mbahen përgjegjës penalisht, për veprimet e një vendi apo një grupi të ushtarëve të tij. Ndërsa, ky Institutit si mekanizëm qeveritar me mandat për hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë, po tregon se krimi i vërtetë nuk është dënuar.

Ismet Salihu udhëheqës i këtij Instituti dhe përgjegjës për pjesën e hulumtimit për krime kundër njerizimit dhe gjenocid thotë se Kosova mbetet një dosje e madhe e krimit të pandëshkuar.

“Sipas standardeve, rregullave, zakoneve, parimeve, normave dhe konventave ndërkombëtare, është dashur të themelohet një gjykatë për krimet që kanë kryer forcat serbe. Kjo që po pritet të ndodhë në rastin e Kosovës është një njollë e zezë për vendin”, i ka thënë Salihu, Radio Kosovës.

Krahas kësaj Salihu po udhëheq mbledhjen e fakteve në vatrat e masakrave më të mëdha në Kosovë.

Janë bërë tri vite që Institut kosovar për Hulumtimin e Krimeve të Luftës ka marrë për detyrë të mbledh, sistematizoj, përpunoj dhe publikoj të dhënat për krime kundër paqes, krime të luftës, krimet kundër njerëzimit dhe akteve të gjenocidit të kryera gjatë viteve 1998 – 1999 në Kosovë./RTK/

Exit mobile version