Site icon PORTALB

Tearca mund të sjellë turbulenca të reja politike

Tearcë

Rivotimi në Tearcë të Tetovës mund të sjellë turbulencë të re politike. Zgjedhjet priteshin të jenë zgjidhje e krizës, por sa të njëjtat mund të jenë parathënie të një krize edhe më të thellë politike?! 

VMRO DPMNE nuk mund të bojkotojë rivotimin, por rezultatin e tij

Pas vendimit të Gjykatës Administrative, pritet që KSHZ të vendos përfundimisht nëse do të ketë rivotim në Tearcë ose jo. Lideri i VMRO DPMNE-së ka deklaruar publikisht se nuk do të merr pjesë në një rivotim të mundshëm dhe se nuk do të pranojë një rezultat të ndryshëm nga ai preliminar. Megjithatë, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se është e pamundur që VMRO DPMNE-ja të mos merr pjesë në rivotim, ajo as nuk mund ta ndryshojë realitetin politik. Gjithçka që mund të bëjë është të krijojë tensione të reja e të shkaktojë ndonjë krizë të re në vend.

Albert Musliu

Analisti politik, Albert Musliu vlerëson për Portalb se deklaratat e VMRO DPMNE-së janë thjeshtë politikë ditore. Kështu sepse kjo parti është në listën votuese dhe është e pamundur që të mos marrë pjesë në rivotim.

“VMRO DPMNE nuk mund të mos merr pjesë në rivotim, sepse e ka emrin në listën votuese. Anëtarët e komisionit janë të obliguar me ligj që të marrin pjesë, ato mund eventualisht ta heqin vëzhguesin, tjetër gjë nuk mund të bëjnë. Nuk mund të hiqen nga lista zgjedhore”– tha Musliu, “Mendoj se VMRO DPMNE e di këtë realitet ligjor. Kurse tensione mund të ketë çdo herë”.

Sipas tij, VMRO DPMNE-ja mund të shkaktojë incidente, mund të ngris tensione, por kjo nuk don të thotë se mund ta ndryshojë realitetin e zgjedhjeve.

Denko Malevski

Sipas profesorit universitar, Denko Malevski në zgjedhjet e 11 dhjetorit për herë të parë në Maqedoni qytetarët në të vërtetë votuan për partinë që dëshiruan. Por edhe ankesat e partive politike dhe shqyrtimi i të njëjtave nga KSHZ-ja dhe Gjykata Administrative janë pjesë e rregullt e procesit zgjedhor dhe kjo duhet të respektohet nga të gjitha palët. Në këtë rast, nëse VMRO DPMNE-ja nuk e respekton vendimin e Gjykatës Administrative për rivotim, do të vihet në pikëpyetje i tërë procesi zgjedhor dhe shteti do të hyjë në spirale të re të krizës.

“VMRO DPMNE u kërcënua se do t’i nxjerrë përkrahësit e saj në rrugë për të protestuar . Ky është një nga rezultatet e padëshirueshme. E atëherë kriza do të marrë dimensione tjera. Nëse ka mos-pranim të rezultateve të zgjedhjeve mund të vihen në pikëpyetje vetë zgjedhjet dhe atëherë shteti do të hyjë në një jostabilitet të rrezikshëm” theksoi Malevski.

Sipas tij, qysh në fillim të procesit zgjedhor kishte filluar edhe stërzgjatja e afateve, gjë që e shkaktoi këtë situatë të tensionuar.

VMRO DPMNE-ja tregon arsyen e bojkotit

Rivotimi do ta falsifikonte vullnetin e qytetarëve, kështu arsyeton VMRO DPMNE-ja  bojkotin e rivotimit.

“Kjo është pjesë e skenarit për ta falsifikuar vullnetin e qytetarëve në zgjedhje nga shumica prej 455 mijë qytetarë, të cilët votuan për VMRO-DPMNE dhe “Koalicionin për Maqedoni më të mirë”, theksoi Nikolla Todorov nga VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër LSDM-ja ka një tjetër sqarim për çështjen:

“600 mijë qytetarë janë shprehur se në politikë nuk ka vend për figura si Nikolla Gruevski. Këtë e di edhe Gruevski. VMRO-DPMNE shkon në opozitë”, thuhet mes tjerash në qëndrimin e partisë.

Ndryshe, analisti Robert Nesimi për Portalb, shpjegon se rezultati i këtillë nuk kërkon ndonjë njohuri të posaçme të sistemit të “D’Hondtit” për të kalkuluar votat që i duhen LSDM-së për përmbysje. Për ta kthyer atë nga 3-4 në 4-3 në favor të vetin, ajo thjeshtë duhet të ketë më tepër vota se VMRO-ja, pra të fitojë 304 vota më tepër se VMRO në atë vendvotim./Portalb.mk

Exit mobile version