Site icon PORTALB

Lista Serbe, probleme me Qeverinë e Kosovës apo atë të Serbisë?!

Qeveria e Kosoves

Qeveria dhe institucionet e Kosovës nuk kanë probleme me serbët lokalë, por me strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, transmeton REL.

Ai thotë se përkundër vendimit të Listës Serbe për të bojkotuar Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, përfaqësuesit e këtij subjekti politik nuk e kanë ndërprerë në asnjë moment aktivitetin e tyre politik brenda institucioneve shtetërore të Kosovës.

Mustafa ka thënë për Radion Evropa e Lirë se i ka ftuar përfaqësuesit e Listës Serbe që të kthehen në qeveri.

“I kemi ftuar anëtarët e qeverisë nga Lista Serbe. Ata nuk kanë ardhur që të bisedojnë. Por, janë shprehur se po i kryejnë detyrat e tyre nëpër zyre dhe është fakt që ata dalin në zyre, i kryejnë punët, udhëtojnë dhe kërkojnë që ne t’ua mbulojmë edhe shpenzimet e udhëtimeve”.

“Kemi biseduar po ashtu edhe me disa përfaqësues të Listës Serbe në Kuvend, por kanë probleme, sepse dëshirojnë që kthimin e tyre ta bëjnë bashkërisht dhe të mos kthehen pjesë – pjesë”, ka thënë Mustafa.

Javën e kaluar, kryeministri Isa Mustafa mori vendim që të shkarkojë nga detyra ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq, duke emëruar në vend të tij Mirjana Jevtiqin, po nga Lista Serbe, e cila ka marrë sot detyrën edhe zyrtarisht. Për këtë vendim, kabineti i Mustafës nuk ka dhënë shumë shpjegime, por ka kumtuar se është konsultuar edhe me Listën Serbe.

Vendimi i Mustafës nuk ka kaluar pa tensione politike brenda Listës Serbe, sado që për këtë çështje udhëheqësit e Listës hezitojnë të flasin.

Exit mobile version