Site icon PORTALB

Rusi, shkon në 48 numri i të vdekurve nga helmimi

Ilustrim

Numri i të vdekurve si pasojë e helmimit me alkool në Siberinë lindore të Rusisë është rritur në 48, me çka në qytetin Irkutsk të hënën u shpall gjendje e jashtëzakonshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhjetëra persona kanë vdekur nga helmimi me metanol pasi kanë pirë losion për not, derisa 9 të tjerë të cilët janë hospitalizuar janë në rrezik për jetën dhe ka shqetësime se numri i të vdekurve mund të rritet.

Qeveria ruse për shkak të tragjedisë në Irkutsk ka kërkuar për të forcuar kontrollet në tregun e alkoolit.

Të gjitha viktimat thuhet se ishin banorë të Novo-Lenino në Irkutsk, qyteti i gjashtë më i madh në Rusi dhe një nga qendrat më të mëdha ekonomike të Siberisë Lindore.

Autoritetet lokale kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në një përpjekje për të ndaluar bilancin tragjik dhe kanë vizituar shumë shtëpi në kërkim të viktimave të reja të mundshme.

Komisioni hetues i Federatës Ruse, organi më i lartë hetues i vendit, ka nisur një hetim për këtë rast. Deri më tani janë arrestuar katër persona për shkak të dyshimeve se kanë shitur losionin.

Zyrtarët thanë se në shishet me losion qartë shkruan se janë vetëm për përdorim të jashtëm.

Zëdhënësi i Presidentit të Rusisë Dmitry Peskov helmimin masiv në Siberinë lindore e quajti “tragjedi të tmerrshme”, duke vënë në dukje se me këtë ngjarje është njoftuar edhe presidentit Vladimir Putin.

Kryeministri rus Dmitry Medvedev në një seancë qeveritare tha se qeveria duhet të veprojë me shpejtësi dhe të ndalojnë shitjen e substancave të tilla.

“Kjo është e tmerrshme. Kësaj duhet t’i jepet fund”, tha Medvedev.

Helmimet me surrogatët e alkoolit janë dukuri të shpeshta në Rusi, megjithatë ky rast në Irkutsk paraqet një nga incidentet më vdekjeprurëse gjatë viteve të fundit.

Exit mobile version