Ne jemi injorantë. Nuk e dimë çka është emancipimi. Jemi turmë pa tru. Jemi të pagdhendur nga dalta e kulturës dhe qytetërimit. Jemi paloshqiptarë. Jemi të asimiluar. Jemi të prapambetur. Jemi mishi i egër. Nuk kemi asgjë. Nuk kemi asnjë mendimtar. Nuk kemi asnjë shkrimtar. Nuk kemi asnjë piktor. Nuk kemi asnjë skulptor. Nuk kemi asnjë këngëtar. Nuk kemi asnjë artist. Nuk kemi asnjë aktor. Nuk kemi asnjë regjisor. Nuk kemi asnjë inxhinier. Nuk kemi asnjë mjek. Jemi llumi i kombit. Jemi hira e kombit. Jemi fundërina e kombit.
Kështu na akuzonin dikur dhe kështu na akuzojnë tani. Po tani akuzat na i bëni ju që jeni ne dhe së bashku jemi një. Na akuzoni sepse i keni do gardhe në mendje.
Ju jeni gjithçka. Jeni gjeni. Jeni kulmi i përparimit. Jeni kulmi i qytetërimit. Jeni kulmi i kulturës botërore. Jeni shqiptarët më të mirë të historisë. Jeni më europianë se sa europianët. Jeni ajka e mendimit botëror.
A ka mundësi të shkoni në dreq të mallkuar!
Mjaft u krahasuat me ne të pagdhendurit. Është koha që të krahasoheni me të tjerët. Arrogancën tuaj e përçmoj! As dua t’ia di për cinizmin tuaj të pështirë. Jetojmë të gjithë në kënetë. Veçse duke na shikuar neve keni harruar ta shikoni vetveten. Keni harruar të shikoni një pjesë tuajën. E ajo pjesë jemi “ne”, sikurse jeni “ju” pjesë e jona. Jemi vëllezërit siamezë, që sado bëjmë kinse qeshim me njëri tjetrin, në thelb nuk dallojmë. Dallojnë vetëm udhët tona që na i ngatërroi historia.
Në udhën tonë ka pasur më shumë pengesa, prandaj u vonuam për shumëçka, por as “ju” nuk keni arritur aty ku do të duhej. Po të kishit arritur aty ku duhej nuk do të ishit indiferentë ndaj “nesh”. Jeni ngjitur në olimp të rrejshëm dhe botën e shihni me përçmim. Elitë u thonë e jeni zë turme. Po të ishit elitë nuk do të ishit mosnirënjohës “ju” që jeni “ne” dhe së bashku jemi një. Kemi të njëjtën rrënjë që na ushqen. Ua falim, sepse nuk dini çfarë bëni. Madje flisni për “ne” pa na dëgjuar. Përse të na dëgjoni! Ne jemi të pagdhendurit.
Për fatin tuaj të keq dhe për fatin e mirë të të gjithëve, në Tiranë, Prishtinë e Shkup ka njerëz mendjehapur e mendjekthjellët që, ndonëse nuk i lodhin ekranet televizive me derdimenllëqe, sërish janë ndryshe. Për ta atdheu është më i madh se sa ai që na e paraqesin mendjet e robëruara. Është si atdheu i Ernest Koliqit, i cili nga Tirana dërgonte mësues kudo ku kishte shqiptarë, sepse atdheu në botëshikimin e tij nuk kishte përmasa oborri.
Vite më vonë, falë profesorëve të respektuar nga Tirana e Prishtina, u formësua edhe Universiteti i Tetovës. Atyre u jemi mirënjohës ne shqiptarët e Maqedonisë. Ashtu sikurse duhet t’i jemi mirënjohës Prishtinës së dikurshme. Ajo na trajtonte si bijtë e saj dhe nuk na dallonte sipas gjeografisë.
Atyre u përkulem, kurse juve ju përçmoj.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre