Site icon PORTALB

Lunacek: Aleanca e Brukselit me pushtetarët e korruptuar të Ballkanit është e rrezikshme

Ulrike Lunaçek

Ulrike Lunaçek

Nënkryetarja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek, kritikon ashpër tolerancën e Bashkimit Europian ndaj qeverive autoritare në Ballkan. Maqedonia, sipas saj, po fundoset në moçalin nacionalist.

Politikania e gjelbër austriake Ulrike Lunacek është e njohur për gjuhën e saj shpeshherë të qartë kundër mangësive të politikës së Bashkimit Europian ndaj Ballkanit. Si nënkryetare Parlamentit Europian dhe raportuese për Kosovën ajo disa herë u ka bërë thirrje pesë shteteve të BE-së (Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë, Greqisë dhe Qipros) të pranojnë pavarësinë e Kosovës. Po ashtu ajo është angazhuar për heqjen e vizave qytetarëve të Kosovës.

Në një intervistë dhënë gazetës «Wiener Zeitung» Lunacek ka kritikuar ashpër tolerancën e BE-së ndaj qeverive autoritare dhe të korruptuara në Ballkan. Ajo ka qortuar sidomos ministrin e Jashtëm të Austrisë, Sebastian Kurz, i cili në mesin kolegëve të tij në BE është mjaft i zëshëm kundër pranimit të refugjatëve dhe mbështet ata politikanë në Ballkan, të cilët kanë ndikuar në mbylljen e shtegut ballkanik të refugjatëve. Para zgjedhjeve në Maqedoni ai foli në një tubim të partisë VMRO të Nikola Gruevskit, i cili si kryeministër dyshohet të ketë përgjuar rreth 20 mijë qytetarë. Lunacek tha se «në politikën e tij të deritanishme ndaj Ballkanit Kurz ka ndjekur vetëm një interes: mbylljen e shtegut për refugjatë. Ambasadat austriake në rajon dhe Agjencia Austriake për Zhvillim po kryejnë punë të mira, por ato marrin mbështetjen e ministrit të Jashtëm vetëm kur është fjala për bllokimin e refugjatëve. Në disa pjesë të Ballkanit unë shoh tendencën që të bëhen të njëjtat gabime siç janë bërë në marrëdhënien e BE-së ndaj diktaturave të Afrikës Veriore para Pranverës Arabe. Vendet e Ballkanit nuk janë diktatura, por ekzistojnë tendenca për t’i përkrahur ata politikanë, me të cilët jemi adaptuar tashmë – edhe pse ata nuk i respektojnë premtimet e tyre sa i përket sundimit të ligjit dhe lirisë së mediumeve.

Në bisedë me Komisionin e BE-së dhe me Shërbimin e Jashtëm Europian unë kërkoj vazhdimisht që BE dhe shtetet anëtare të mos i japin përparësi stabilitetit para zhvillimeve demokratike. Kjo ka dështuar edhe në pjesë të tjera të botës. Iluzioni se ne mund të bëjmë përherë biznes me pushtetarë, të cilët na thonë se garantojnë stabilitet, nuk funksionon. Duhet të koncentrohemi në demokraci dhe sundim të ligjit!» Duke folur për Maqedoninë Lunacek tha se ky vend po shndërrohet në problem të Ballkanit perëndimor. Ajo tha se shkaku i parë i këtij zhvillimi në Maqedoni është vetoja greke që pengon çdo integrim në BE. «Kam kërkuar vazhdimisht që Brukseli dhe shtetet anëtare të BE-së duhet t’i bëjnë më shumë presion Athinës. Një perspektive realiste e BE-së dhe negociatat për anëtarësim do të kishin penguar politikën ekstreme nacionaliste të Nikola Gruevskit. Ajo tani e ka thelluar polarizimin, Maqedonia po fundoset në moçalin nacionalist»./DP

Exit mobile version