Site icon PORTALB

Poposki në Athinë u jep leksione grekëve!

Poposki për vizitë në Athinë!

Poposki për vizitë në Athinë!

Ministri i Jashtëm Nikolla Poposki nga Athinë ka porositur autoritetet greke që të ndjekin shembullin e Maqedonisë rreth respektimit të së drejtës ndërkombëtare. 

“Sot kryesisht u fol rreth respektimit të së drejtës ndërkombëtare, fusha në të cilën Maqedonia e gjen veten, pasi ne e respektojmë atë edhe brenda por edhe ndaj fqinjëve. Homologët tanë janë treguar më të dobët në këtë fushë, por ne jemi të gatshëm ti ndihmojmë, me qëllim që gjërat që i deklarojnë ti zbatojnë edhe në praktikë”, ka theksuar Poposki pas takimit joformal të ministrave të jashtëm të BE-së me vendet kandidate për anëtarësim në BE.

“Me sinqeritetin më të madh konsiderojmë se kjo do të ishte në të mirën edhe të rajonit por edhe Bashkimit Evropian”, ka shtuar Poposki.

Duke komentuar konkretisht mënyrën se si do të ndihmonte Maqedonia fqinjin jugor, Poposki ka sqaruar: “Mund t’iu ndihmojmë me atë që përmes sjelljes sonë e cila reflekton respekt ndaj të drejtës ndërkombëtare, mund t’iu japim shembull të mirë për atë se është mirë që atë që e flasin për respektimin e të drejtës ndërkombëtare fillimisht ta zbatojë vetë.” 

Ndërkaq sipas Poposkit dëshmi më e mirë se Maqedonia respekton të drejtën ndërkombëtare është aktvendimi i Gjykatës së Hagës. 

Poposki madje siç tha këto vlerësime ua ka përcjellë edhe homologëve të tij të BE-së përfshirë mirëpritësit gjatë takimit joformal.

Sipas Poposkit takimet me autoritet greke do të jenë të frytshme madje çështja e emrit do të merrte fund vetëm atëherë kur Greqia do të tregohet e gatshme t’i respektojë këto parime të së drejtës ndërkobvëtare, përfshirë aktvendimin e GJND-së.

Duke komentuar raundin e fundit të negociatave që u zhvilluan në Nju Jork, mes ndërmjetësit Nimic dhe negociatorëve maqedonas dhe grek, si dhe zërat për një propozim të ri në tryezë të bisedimeve, Poposki hodhi poshtë këto pretendime duke theksuar se nuk ka asgjë konkrete, madje nuk shprehu as optimizëm për zgjidhjen e çështjes së shpejti.

Ministri i Jashtëm Nikolla Poposki po qëndron në Athinë në kuadër të takimit joformal të ministrave të jashtëm të BE-së me vendet kandidate për anëtarësim në BE, i ftuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë Kethrin Ashton, dhe ministri i jashtëm grek Evangeliz Venizelos./Portalb

Exit mobile version