Site icon PORTALB

Më së shumti të paraqitur në Bern, më së paku në Madrid: Voton diaspora, të sëmurit dhe të burgosurit

Si votoi diaspora për zgjedhjet presidenciale

Në vigjilje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës në Republikën e Maqedonisë, të katërtat me rradhë, sot është heshtje parazgjedhore. Fushata zgjedhore njëzetditëshe përfundoi mbrëmë në mesnatë. Votimi sot, sipas ligjdhënies zgjedhore të Maqedonisë, zbatohet në diasporë, për personat e paraqitur si të sëmurë dhe të palëvizshëm dhe për të burgosurit dhe personat në paraburgim.

Vendvotimet janë hapur në orën 7:00, ndërsa votimi përfundon në orën 19:00. Në diasporë kjo do të bëhet sipas kohës lokale.

Në zgjedhje marrin pjesë 11 subjekte politike: gjashtë parti politike dhe pesë koalicione me 58 lista me 1.092 kandidatë.

Të paraqitur për votim jashtë vendit janë 20.573 qytetarë, përderisa në Listën e posaçme zgjedhore janë regjistruar 230.122 persona të cilët në pajtim me evidencën e organit kompetent konsiderohet se janë në punë të përkohshme jashtë vendit.

Të drejtën e tyre të votës jashtë vendit shtetasit e Republikës së Maqedonisë do të mund ta realizojnë në 41 përfaqësi diplomatike konsullare dhe zyra konsullare. Më së shumti të paraqitur për votim ka në Bernë 4.256, në Venecie, 2.724, në Detroit 1.170, Nju-Jork 1.168, Melburn 1.112… Për këto zgjedhje, për votimin në Bernë janë hapur tre vendvotime plotësuese, përderisa në Venecie dy.

Më pak të paraqitur ka në Madrid – 10, Pekin 13 dhe në Varshavë 14 votues.

Votimi sot mbahet edhe për 2.015 të burgosur dhe persona në paraburgim. Në shtëpi apo në adresë ku janë paraqitur sot votojnë dhe persona të sëmurë dhe të pafuqishëm. Votojnë edhe 13 persona të zhvendosur në brendësi.

Për zgjedhjet e nesërme, të nënta parlamentare, të katërtat të parakohshme prej vitit 2008 e këndej, në Listën zgjedhore të regjistruar për votim janë 1.784.416 shtetas të Republikës së Maqedonisë të moshës madhore. Në Maqedoni do të votojnë 1.531.368 qytetarë. Zgjedhjet do të mbahen në 3.480 vendvotime në gjashtë njësi zgjedhore në Maqedoni dhe në 46 vendvotime në njësinë e shtatë zgjedhore që e përfshin diasporën.

Exit mobile version