Site icon PORTALB

Moore takon Metën: Zgjidhje konkrete dhe mesazhe pozitive për shqiptarët

Moore takon Metën

Moore takon Metën

Në ditën e tretë të vizitës së tij në Shqipëri, Drejtori për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore të Departamentit të Shtetit,  Jonathan Moore është takuar me kreun e Kuvendit Ilir Meta.

Duke biseduar mbi zhvillimet e fundit politike në vend, zyrtari i lartë amerikan Moore rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të SHBA në avancimin e axhendës evropiane të Shqipërisë duke vënë në dukje se kjo i shërben zhvillimeve pozitive në të gjithë rajonin.

Ndërsa kreu i Kuvendit, Meta theksoi se Kuvendi do t’a mbështesë Qeverinë në kryerjen e të gjitha reformave të nevojshme që kërkon vendi dhe që i shërbejnë përmbushjes së prioriteteve të Bashkimit Evropian, duke theksuar se bashkëpunimi me SHBA në këtë kuadër ka një rëndësi të veçantë.

Meta dhe Moore ndanë bindjen se qytetarët shqiptarë kërkojnë zgjidhje konkrete dhe mesazhe pozitive për të ardhmen, dhe në këtë drejtim të gjitha forcat politike duhet të përqendrohen në mbarëvajtjen e një bashkëpunimi konstruktiv, veçanërisht për çështje të rëndësisë kombëtare.

Gjithashtu Kryetari i Kuvendit Ilir Meta vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe theksoi se “në këtë 5 vjetor të anëtarësimit në NATO, është momenti të vlerësojmë arritjet dhe të reflektojmë të gjithë për forcimin e mëtejshëm të dinamikës së marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe SHBA si dhe mbi avancimin e axhendës euro-atlantike të rajonit të Ballkanit”./ Ora News/

Exit mobile version