Site icon PORTALB

Shkollat shqipe nuk radhiten në pesë vendet e para në testin ekstern

Shkollat shqipe nuk radhiten në pesë vendet e para në testin ekstern

Shpallen rezultatet e testimit ekstern të cilit iu nënshtruan nxënësit e shkollave të mesme në Maqedoni dhe nota mesatare e suksesit është 3.39.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASH), Spiro Ristovski shprehet i kënaqur me këtë sukses dhe shpreson që kjo mesatare do të shkojë duke u rritur në vitet në vijim.

“Jam i kënaqur me rezultatet e testimit të cilit iu nënshtruan nxënësit e shkollave të mesme. Tani sfida e ardhshme është testimi i të gjithë nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në vend. Dukë pasur parasysh numrin e madh të nxënësve, ne që tani jemi fokusuar në përgatitjen e këtij testimi”,tha Ristovski.

Edhe pse nxënësit shqiptarë ankoheshin për parregullsi dhe paqartësi, ministri Ristovski thotë se numri i ankesave është shumë i vogël, gjë që sipas tij vërteton suksesin e procesit të testimit ekstern.

“Sipas të dhënave janë paraqitur 283 ankesa nga të cilat Inspektorati shtetëror për arsim ka pranuar 130 ankesa, 133 janë refuzuar dhe 20 janë në analizim e sipër. Përqindja e ankesave është shumë e vogël, prandaj vlerësojmë se ky proces u realizua pa problem dhe pa vërejtje”, theksoi Ristovski.

Testimit ekstern ju nënshtruan 21 854 nxënës nga 96 shkolla të mesme. Kurse rezultate më të mira mori shkolla e mesme “Rade Jovçevski- Korçagin” në Shkup, e cila u rëndit në vendin e parë, pas saj vinë “Josip Broz Tito” nga Manastiri, “Lazar Liçenoski” dhe “Orce Nikollov”  nga Shkupi si dhe në vendin e pestë u rangua shkolla e mesme “Goce Dellçev” nga Kumanova.
 

Exit mobile version