Site icon PORTALB

Netanjahu: Me Trampin do të bisedojmë për marrëveshjen “e keqe” me Iranin

Benjamin Netanjahu

Benjamin Netanjahu

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu deklaroi se pasi presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Tramp do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, dëshiron të bisedojë me të për marrëveshjen “e keqe” midis Perëndimit dhe Iranit për programin bërthamor iranian.

Netanjahu foli nga Jerusalemi përmes një video linku në një konference në Uashington, me ç’rast tha se Izraeli është i vendosur që ta parandalojë Iranin të vijë drejt armëve bërthamore.

“Kjo pozitë e jona nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë”, porositi kryeministri izraelit.

Ai ashpër e dënoi marrëveshjen e gjashtë forcave botërore (Britania e Madhe, Gjermania, Kina, Rusia, SHBA-ja dhe Franca) me autoritetet në Teheran, që Uashingtoni zyrtar e vlerëson si arritje të madhe të politikës së jashtme të presidentit në largim, Barak Obama.

Gjatë fushatës së tij parazgjedhore, Tramp e dënoi “marrëveshjen bërthamore” me Iranin, duke e quajtur “katastrofiik” dhe si “marrëveshjen më të keqe deri më tani”.

Netanjahu vitin e kaluar shkaktoi ftohje të fuqishme të marrëdhënieve me SHBA-në, pasi vendosi që pa marrëveshje me administratën e Obamës të udhëtojë në Uashington dhe të flasë për “marrëveshjen e keqe” me Teheranin në Kongresin amerikan me ftesë të Partisë republikane.

Demokratët e bojkotuan veprimin e kryeministrit izraelit, ndërsa askush prej Administratës së SHBA-së nuk u takua me të.

Muajve të fundit, Netanjahu dukshëm i zvogëloi kritikat për marrëveshjen, ndërsa veçanërisht kritikat ndaj Uashingtonit, pasi që në vijim janë negociatat për finalizimin e marrëveshjes dhjetëvjeçare amerikano-izraelite për ndihmë ushtarake për Izraelin në vlerë prej 38 miliardë dollarë.

Exit mobile version