Aleanca për shqiptarët: Posedojmë përgatitje të mjaftueshme për t’u ballafaquar me këtë situatë kaotike

Aleanca për shqiptarët prezentoi platformën e saj në Strugë. Në prezentimin e platformës së Aleancës për shqiptarët të pranishëm ishin liderët e Aleancës për shqiptarët, Vesel Memedi, Ziadin Sela, dhe Gëzim Ostreni, si dhe të gjithë kandidatët e mundshëm për deputet që vijnë nga ky rajon, sidomos bartësit e listës Syreja Rashidi, Remzi Mehmedi dhe kandidatët tjerë.

Në tubimin në Strugë liderët e Aleancës për shqiptarët dhe kandidatët për deputetë folën rreth platformës politike dhe ekonomike, si dhe situatës aktuale politike në vend.

Në fjalën e tij të rastit para dashamirëve të Aleancës për shqiptarët në Strugë, njëri nga liderët e Aleancës për shqiptarët Vesel Memedi theksoi se situata politike dhe ajo e sigurisë në tërë globin ndodhet para sfidave të mëdha dhe Ballkani perëndimor nuk është imun ndaj këtyre sfidave komplekse dhe kaotike.

“Këto sfida shkaktohen nga grupacione të ndryshme destruktive që dëshirojnë të ndryshojnë tërësisht rendin botëror dhe ndihmohen fuqishëm nga nëntoka dhe grupacione të ndryshme kriminale kudo qofshin ato. Fatkeqësia më e madhe e këtyre grupacioneve destruktive është keqpërdorimi i fesë dhe i kombit për të avancuar agjenda tjera tmerruese. Aleanca për shqiptarët ka kapacitet për të kuptuar gjeopolitikën dhe prandaj ua bënë me dije të gjithë liderëve tjerë shqiptarë se ata nuk e kanë në pronësi çështjen kombëtare dhe se vetëm ata mund t’u bëjnë ballë sfidave të kohës. Aleanca për shqiptarët posedon përgatitje të mjaftueshme për t’u ballafaquar me këtë situatë kaotike. Mirëpo, gjithë ne shqiptarët duhet të pranojmë se i kemi harxhuar të gjitha adutet më të fuqishme që i kemi poseduar si komb, referendumi territorial-politik, federalizimi, dhe së fundmi me vetëdije apo pa vetëdije jemi duke e harxhuar edhe diçka që ka qenë e shënjtë për shqiptarët, besën, duke emërtuar me këtë emër një organizim politik. Qëllimi kryesor është devalvimi total i aduteve më të fuqishme të shqiptarëve. Tani nuk na mbetet gjë tjetër përpos të jemi të bashkuar sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të japim maksimumin për komb dhe për fe”, theksoi mes tjerash Memedi.

Kanditatët për deputet theksuan se janë rreshtuar pas familjes së Aleancës për shqiptarët sepse kjo familje përbëhet nga një kombinim mjaft interesant i aftësive të ndryshme të tri liderëve politik që janë pasuri e jashtëzakonshme për t’u ballafaquar me sfidat e kohës.

Kandidatët theksuan se janë të vetëdijshëm për humbjen e besimit të popullatës ndaj politikës në përgjithësi, por se duhet të sprovohemi me këtë përgjegjësi të madhe, dhe se vetëm në këtë mënyrë do të kuptoni konsistencën tonë me fjalët që i themi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button