Site icon PORTALB

Gashi: Ndryshimi vjen me Ridefinimin e tërësishëm të shtetit

Afrim Gashi, BESA

Rilindje me BESË sonte u takua me banorët të Butelit dhe Shuto Orizares, ku para banorëve të kësaj ane shpalosën platformën dhe programin zgjedhor.

Para të pranishmëve kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, njëherit bartës i listës zgjedhore për njësinë e gjashtë zgjedhore deklaroi: “Të nderuar të pranishëm, jam i bindur se me 11 dhjetor nuk do të fitojë asnjë parti politike, por do të ngadhënjejë vullneti i popullit shqiptar. Do të jeni ju që do ta bëni edhe më madhështore fitoren e “Rilindjes me BESË”, ndërsa obligim i yni do të jetë që të jemi zëri i juaj legjitim. Sot, patriotizëm mbi çdo patriotizëm është që popullit tënd t’ia ofrosh mundësitë që të bëjë një jetë me dinjitet, gjë që nuk e bëri kurrë BDI – ja. Nuk ka mbetur edhe shumë kohë kur ne do të ndëshkojmë me votë ata që na i morën edhe ditët festive, ata që lejuan të zvogëlohet edhe flamuri kombëtar, ata që shkelën mbi gjakun e dëshmorëve dhe u pasuruan në kurriz të popullit. O sot, o kurrë është koha për “Rilindje me BESË”. O sot, o kurrë është koha që të pafytyrët, të pamoralshmit të japin llogari para popullit ndërsa profesionistët dhe njerëzit pa hipoteka ta përfaqësojnë vullnetin e vërtetë të popullit. Sonte nga këtu e përsërisim atë që duhet ta dinë të gjithë, ose do të ketë edhe Maqedoni shqiptare, ose nuk do të ketë Maqedoni fare!”

Bartësi i listës zgjedhore në njësinë e dytë i Rilindjes me BESË, Afrim Gashi theksoi: “Në këtë gjendje të mjerë na sollën ata që na përfaqësuan deri më sot, BDI – ja, Ali Ahmeti. Jo se ata nuk e dinin se shqiptarët diskriminohen në çdo sferë. Kur fëmijët tanë rraheshin nëpër autobuse dhe ju vizatoheshin me thikë kryqe në trupat e tyre të njomë, ata shpreheshin se janë incidente të izoluara e kurrë asnjë fajtor nuk u dënua. Kur nënat dhe motrat tona tërhiqeshin zvarrë nga njësite speciale policore me procese të montuara gjyqësore, përfaqësuesit e BDI – së në qeveri i shpallnin publikisht ato “grupe terroriste”, para se të zhvillohej procesi gjyqësor. Kur pjesët maqedonase ndërtoheshin dhe investoheshin qindra miliona euro, Ali Ahmeti thoshte le të kthehen shqiptarët që të mbjellin sallata. Kur populli nisi të vlojë dhe të kërkojë përgjegjësi për të gjitha padrejtësitë, BDI bashkë me “mijallkovët” e dogjën Kumanovën. Prandaj ndryshimi i madh vjen me Rilindjen me BESË dhe me Ridefinimin e tërërishëm të këtij shtetit”.

Exit mobile version