Site icon PORTALB

Parlamenti diskuton buxhetin 2017, Rama: 540 mln $ për qytetarët. Reagon PD

Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë

Duke folur për buxhetin 2017 në seancë parlamentare, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se gjatë qeverisjes së tij në shërbim të qytetarëve kanë kaluar 540 milionë dollarë nga buxheti i shtetit, transmeton Top Channel.

“Në 8 vitet e qeverisë së shkuar u spostuan nga arka e shtetit në arkën e familjeve përmes rritjes së rrogave dhe pensioneve 124 milionë dollarë gjithësej. Ndërsa ne kemi hequr gjysmë miliard dollarë për t’i kaluar nga duart e shtetit tek të qytetarëve. 540 milionë dollarë. Kjo shifër nuk përfshin rritjen e rrogave të Policisë së Shtetit që në buxhetin e parë me 10 milionë dollarë çdo 4 vjet, duke e çuar shumën totale në 580 milionë”, ka deklaruar Rama.

Në të njëjtën kohë, ka shtuar kreu i qeverisë, qeverisë i është dashur të shlyej 720 milionë dollarë borxhe të fshehura që i gjeti kur mori detyrën.

“Na u desh të përballemi me një krizë të vërtetë financimi me kantieret e hapura në rrugë. Qeveria e vjetër thoshte kur ishte në pushtet se kishte bërë 10 mijë km rrugë, ndërsa tani në opozitë thotë se ka bërë 11 mijë, pra ka bërë edhe 1 mijë kur e kanë shkarkuar nga detyra. E vërteta është se ka bërë 1.744 km rrugë, jo 10 mijë dhe likuidoi vetëm 34 për qind të vlerës financiare të kontraktuar”, ka vijuar Rama.

Ai ka theksuar se, buxheti i qeverisë së tij shmangu rënien në greminë të sistemit financiar të vendit dhe solli një rritje ekonomike të qëndrueshme.

“Sot, nga një ekonomi që luahtej mes 0 dhe 1 për qind, këtë vit do të rritet me 3.3 dhe 3.5 për qind dhe do vazhdojë të rritet çdo vit. Me këtë buxhet jo vetëm rrisim rrogat dhe pensionet, por po financojmë reformat për modernizimin e shtetit, por përmirësojmë financat publike dhe stimulojmë mirëqeverisjen”, ka thënë Rama.

Më tej, Rama ka bërë të ditur edhe një risi që ka të bëjë sipas tij me shëndetësinë, e cila do t’u vijë në ndihmë qindra mijëra familjeve në nevojë.

“Në këtë buxhet, nga fusha e shëndetësisë, duke e thelluar më tej reformën në shëndetësi, në 2017, ne do të zgjerojmë listën e ilaçeve të rimbursueshme për plot 600 mijë shqiptarë, që janë të pasiguruar dhe deri më sot nuk kanë përfituar asgjë nga kjo listë. Nga janari ata do të rimbursohen plotësisht”, ka saktësuar Rama.

Sipas tij, kjo do të thotë 8 milionë dollarë njerëzit në nevojë nuk do t’i shpenzojnë më për ilaçe, por do t’i mbajnë si kursime e që në total do të shkojnë në 384 milionë dollarë.

Exit mobile version