Site icon PORTALB

Propagandë dhe anti-propagandë “pa dorëza”

Teksti në "Monitor" për atë se kush qëndron prapa shkrimeve të "Zhurnal"-it

[Recension : Zbulohet kalemxhiu i pist i Zhurnalit]

Ka kohë që është bërë pothuajse e pakuptimtë propaganda mediatike pa asnjë vijë të kuqe. Disa media janë vënë në tentativë për të bërë fushatë të zezë duke nxirë imazhin  e personaliteteve apo partive të caktuara, e disa tjera kanë marrë misionin për të qenë “mbrojtësi” i tyre. Dhe, në këtë “luftë”, më nuk po zgjidhjen mjetet dhe fjalët.


Linku deri te artikulli origjinal: 
Zbulohet kalemxhiu i pist i Zhurnalit

Data dhe koha e publikimit: 27.11.2016

Data e recensionit: 28.11.2016

Recensuese: Ferikan Iljazi

Lajmi që po recensojmë, të ishte shkruar në “kohëra më të mira” për gazetarinë e Maqedonisë, do të ishte një vepër shumë e shëmtuar dhe do ta komentonin të gjithë. Por, meqenëse tashmë shumë prej mediave e kanë këtë ‘stil’ të të shprehurit, nuk bie edhe aq në sy, ose, mund të themi që jemi mësuar me këtë dukuri.

Teksti ka tentuar të nxjerrë në pah një qëndrim personal duke etiketuar një person të caktuar, pa asnjë provë, pa asnjë element besueshmërie, vetëm duke u nisur sipas bindjes dhe njohurive të autorit. Por, çfarë do të bëhej po të shkruanim të gjithë gjërat që i dimë apo për të cilat dyshojmë, e nuk arrijmë t’i dëshmojmë?!

Përmbajtja ka tentuar të zbulojë se kush i shkruan tekstet e portalit “Zhurnal”, por e ka bërë këtë në mënyrën më të gabuar.

“Zhurnal” është media që përfolet se ndodhet shumë pranë Musa Xhaferit të BDI-së, dhe në përgjithësi të krejt BDI-së, ndërsa siç dyshohet, flitet dhe supozohet, ‘koka’ e shkrimeve më të pista, çnjerëzore dhe shantazhuese shkruhen nga dora e vetë Rexhep Ademit ndaj të gjithë atyre që i konsidrojnë si “armiq”.?!

Teksti shkon aq larg, sa që përmend edhe emra dhe madje publikon fotografi të një personi, pa prova për pohimet e bëra. Edhe ligjërisht edhe moralisht, në gazetari nuk është e lejuar të akuzohen individë në këtë mënyrë.

“Është e habitshme se si Rexhep Ademi njëkohësisht është i punësuar në administratën shtetërore, po edhe në Zhurnal, që përbën konflikt klasik interesi. Madje, spekulohet se pikërisht Ademi është lidhja mes Musa Xhaferit dhe Zhurnal pasi është i punësuar në administratën shtetërore, dhe prej aty i kanë kontaktet më të lehta për shtrirjen e ndikimit në Zhurnal. KY ËSHTË ‘KOKA’ E SHKRIMEVE ÇNJERËZORE NË “ZHURNAL”, TË MBUSHURA ME MLLEF DHE PISLLËQE?!”

Për gjithë këtë skenar duhet patur edhe mbështetje të fortë,  jo vetëm qëndrime dhe informata personale. Duhet patur shumë kujdes, sidomos kur përdoren kualifimet si këto të fundit: “Ç’njerzore”, “pisllëqe”, e çfarë tjetër jo.

Një detaj tjetër që bie në sy është fotografia që thuhet se është e Rexhep Ademit prej një tubimi të BDI-së , edhe pse në fotografi nuk duket qartë identiteti.

Për të qenë më korrekt: lajme të tilla, pavarësisht a na pëlqen dikush ose jo, nuk duhet shkruar me “mllef”, pasi do të bëhemi njësoj sikur ai që e kritikojmë. Në mos për hir të ruajtjes së kredibilitetit të mediumit, teksteve të tilla duhet t’u shmangemi – për hatër të rujajtes së nivelit të profesionalizmit dhe integritetit personal të gazetarit.

Për të qenë ky lajm i kompletuar, do të duhej të ofroheshin dokumente zyrtare që dëshmojnë se ky person shkruan vërtetë lajme për portalin “Zhurnal”. Pastaj, do të merrej edhe qëndrimi i atij lidhur me pohimet e shtjelluara. Më pas, mund të merren edhe disa shembuj të shkrimeve të portalit ku ka ofendime, shpifje, fyerje për “armiqtë” e pushtetit. Nuk niset një tekst aq serioz me “supozime”, “dyshohet” dhe “ashtu siç flitet”. Nëse nisemi nga normat e parapara në Kodeksin e Gazetarëve të Maqedonisë,

  1. “Gazetari duhet të respektojë jetën private të personit, përveç në raste kur kjo bie në kundërshtim me interesin publik”

  2. “Gazetari nuk ka për të krijuar ose përpunuar me vetëdije informata, të cilat i kërcënojnë të drejtat ose liritë e njeriut, nuk ka për të folur me gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)

  3. “Gazetari do t’u përmbahet standardeve të pranuara shoqërore që kanë të bëjnë me dinjitetin…”

  4. “Gazetarët duhet të bëjnë dallim ndërmjet fakteve dhe mendimeve, ndërmjet lajmit dhe komenteve” dhe më e rëndishmja,

  5. “Gazetari do ta ruajë prestigjin dhe dinjitetin e profesionit të tij, do ta nxisë solidaritetin reciprok dhe pluralizmin e mendimeve dhe nuk do ta përdorë mediumin e tij për larjen e hesapeve me persona të ndryshëm përfshirë këtu edhe kolegët e tij”.

     


    Ky recension është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Exit mobile version