Site icon PORTALB

Mustafa propozon formimin e një komisioni për Demarkacionin

Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i ka transmetuar kabinetit të tij qeveritar shqetësimin në lidhje me vonesat për liberalizimin e vizave. Ai ka pranuar se nëse Kosova nuk e ratifikon marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi gjatë këtij viti, i gjithë procesi i liberalizimit do të rrezikohet edhe për vitin 2017, transmeton REL.

Deri te këto konstatime, Mustafa erdhi pas përmbylljes së vizitëns në Bruksel, me rastin e takimit të Lartë të Këshillit për Stabilizim Asociim.

“Na është thënë qartë që në qoftë se hyjmë në vitin e ardhshëm, gjasat që ne këtë ta arrijmë vitin e ardhshëm nuk janë aq të mëdha, s’mund të them tani se nuk ekzistojnë fare, mirëpo rrezikojmë mjaft shumë”, ka thënë Mustafa.

Kryeministri i Kosovës tha se nuk ka arsye që të rrezikohet liberalizimi i vizave dhe ftoi qeverinë dhe deputetët të gjejnë një zgjidhje të përbashkët.

“Në qoftë se ka nevojë, ne mundemi që edhe si Qeveri ta themelojmë edhe një Komision i cili do të bënte matjen e sipërfaqes së Kosovës, në bazë të vendimit të Komisionit për përcaktimin e vijës kufitare se sa kilometra katrorë i ka Kosova dhe a është zvogëluar sipërfaqja e Republikës së Kosovës, duke kërkuar edhe prej opozitës të japin edhe ata ekspertë të vet”, ka thënë Mustafa,

Sipas tij, një proces i tillë është i nevojshëm edhe për t’i hequr dilemat para opinionit lidhur me të dhënat ekzakte për territorin e Republikës së Kosovës.

Exit mobile version