Site icon PORTALB

Rilindje me BESË: Askush nuk mund ta djegë Rilindjen e BESËS shqiptare

Deri tani ka pasur shumë raste të shkatërrimit të materialit parazgjedhor të partive politike, mirëpo rrallëherë, madje ndoshta asnjëherë, nuk ka ndodhur të tentohet të digjet bilbordi i një oponenti, thuhet në kumtesën e sotme të Lëvizjes BESA.

“Kjo nuk flet për asgjë tjetër, përveç për frikën ndaj atyre që deri dje hidhnin gurin e fshihnin dorën. Tani po shihet se ata e kanë ndryshuar strategjinë dhe ndezin zjarr, e pastaj fshehin dorën. Për fat të keq, ata edhe gurin edhe zjarrin gjithmonë i kanë hedhur vetëm kundër shqiptarëve, e asnjëherë kundër partnerëve të koalicionit, prej të cilëve janë nënçmuar në formën më brutale”, vazhdon më tutje kumtesa.
Më tej në kumtesë thuhet se “ky tentim as nuk e frikëson e as nuk e dekurajon koalicionin ‘Rilindje me Besë’ në zhvillimin e aktivitetit të vet parazgjedhor. Përkundrazi, na jep motiv më tepër për ta vazhduar rrugën tonë, sepse dëshmon që oponent kryesor e kemi jo vetëm një kundërshtar politik, por edhe një armik të shqiptarëve”.

Nga Lëvizja Besa edhe një herë i bëjnë thirrje anëtarësisë, aktivistëve dhe simpatizuesve të vet që të përmbahen deri më 11 dhjetor.

“Mënyra më e mirë për t’i djegur kësaj radhe kundërshtarët tanë është përmes votës shqiptare më 11 dhjetor”, thuhet në fund të kumtesës së Lëvizjes Besa.

Exit mobile version