Site icon PORTALB

O tash o kurrë është momenti ynë të marrim përgjegjësinë tonë qytetare!

Dervish Alimi

Dervish Alimi

O tash o kurrë është momenti ynë të marrim përgjegjësinë për ardhmërinë e fëmijëve tanë, të cilët fatkeqësisht për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe standardit të ulët jetësor, gjegjësisht të ardhurave të vogla në sektorin privat dhe publik, pra në administratën shtetërore, nuk shohin perspektivë për ngritjen e familjeve të tyre në vend, dhe nga ana tjetër, i shikojnë me xhelozi kurbetqarët tanë kur vijnë në vendlindje me vetura luksoze dhe harxhimet e pakursyera që ata bëjnë gjatë pushimeve.

Tashmë nuk ka arsyetim për heshtjen tonë që ka mbizotëruar në zgjedhjet e mëparshme parlamentare, me pretekstin se gjoja të gjitha partitë janë njësoj, se të gjithë shikojnë të mbushin xhepat dhe të pasurohen shpejt, pa u brengosur fare për nevojat e të tjerëve dhe për mbajtjen e premtimeve të dhëna. Për këtë apati dhe mosbesim në politikanët e mëparshëm, pjesërisht është faji edhe i intelektualëve, që nuk i kanë dalë zot vokacionit të tyre profesional, duke u prononcuar për zhvillimet shoqërore, dhe pse jo duke u vënë në ballë të proceseve shoqërore dhe politike, edhepse dorën në zemër për një gjë të tillë nuk u kanë lejuar hapësirë drejtuesit e partive të mëparshme.

Eshtë koha e fundit për angazhimin e intelektualëve që të marrin guximin ta sfidojnë pushtetin dhe jo të qëndrojnë indiferent ndaj rrënimit shoqëror dhe ekonomik të vendbanimeve shqiptare në vend, dhe nëpërmjet të angazhimit politik opozitar të kërkojnë autorizimin e votuesve për ta përmirësuar këtë gjendje.
Njeriu i emancipuar dhe arsimuar gjithmonë duhet të besojë në obligimin e tij prej intelektuali që të mos heshti dhe mbylli sytë, duke shikuar vetëm avancimin e vet profesional dhe vetëm interesat e sigurimit të mirëqenies së familjes më të ngushtë, sepse ai nuk duhet të të jetë plotësisht i lumtur dhe i përmbushur në rrethin e vet të ngushtë, në vendin e vet të punës dhe të bëjë karrierë personale akademike, kur sheh shumë të tjerë, si luftojnë për të siguruar një kafshatë buke për fëmijët e tyre, dhe mezi e përmbyllin muajin, edhe kur kanë të ardhura minimale për mbijetesë.
Kjo sepse nuk mjafton që Ne shqiptarët të luftojmë vetëm për mbijetesë, vetëm për të siguruar një shtëpi ku të fusim kokën apo një dyqan të vogël ku të nxjerrim kafshatën e gojës, por duhet të luftojmë për më shumë, duhet të luftojmë për një mirëqenie më të madhe dhe më dinjitoze, njësoj si që kanë pasur shansin e barabartë, ta bëjnë këtë bashkëqytetarët tanë në mërgim.

Fundja, edhe ata kanë dalur nga rrethi ynë, dhe kanë pasur të njëjtin elan për punë, por shoqëria jonë nuk u ka afruar atyre hapësirë për ta dëshmuar veten. Pastaj, ne të gjithë e kemi pyetur veten, si mundet që shqiptarët tanë të fitojnë më shumë në një vend të huaj, ku paguajnë edhe qira për banesë gati sa gjysma e rrogës, dhe përsëri kanë mundësi të zhvillohen dhe përparojnë ekonomikisht, ndërsa në Maqedoni, Ne që kemi mbetur akoma pa u larguar, mezi punojmë dhe fitojmë për të jetuar?

Nuk është se jashtë vendit klima dhe ajri ështe më i mirë dhe njerëzit bëhen më të zoti, por atje vetë shteti ka siguruar kushte të barabarta për të gjithë. sepse ata që i udhëheqin organet dhe ndërmarrjet nuk shikojnë të pasurohen sa më shpejt me keqpërdorimin e votave dhe posteve të tyre, por ata kanë zgjedhur, që fitimet e tyre t’i sigurojnë në mënyrë legale, duke nxjerrë fitime edhe për familje të tjera (me zgjerimin e kapaciteteve punuese), në mënyrë që të gjithë ata që punojnë ta gjejnë veten e tyre, madje kanë menduar edhe për pertacët dhe parazitët (“klosharët”), duke u siguruar edhe atyre një minimum pagë sociale, sa për të mbijetuar denjësisht.

Të gjithë ata njerëz që duan dhe e kanë prioritet të punojnë me nder dhe me djersën e ballit, duhet ta kenë të siguruar mundësinë për këtë, jo duke qenë të shantazhuar me korrupcion për të zënë një vend pune, por duke qenë të përzgjedhur për nga aftësia profesionale dhe suksesi i tyre i arritur në studime dhe biznes, në bazë të meritokracisë, dhe jo pastaj të detyrohen të bëhen shërbetorë të pushtetit, duke i ngarkuar me zor nëpër autobusa dhe mitingje, dhe duke i detyruar ta shkelin ligjin dhe të rrezikojnë që nesër të kenë probleme me të, dhe gjithë kjo vetëm e vetëm që t’ua zgjasin jetën parazitëve që sot janë në pushtet.
Kurkund në botë nuk ka dukuri dhe atmosferë të tillë, ku qytetari ka frikë ta thotë mendimin e vet dhe ka frikë madje të shkojë në tubimë partiake, për t’i dëgjuar ofertat e të gjitha partive, në mënyrë që pastaj ta vlerësojë vetë me kokën e vet, se kush e meriton më shumë të udhëheqi me institucionet, pa i llogaritur paraprakisht pasojat për vete, nga revanzhizmi i atyre që me çdo kusht kërkojnë t’i mbajnë kolltuqet, pa qenë të gatshëm të japin përgjegjësi për punët e pabëra dhe premtimet e shkelura.

Që ironia te jetë më e madhe, në vend që Pushtetarët të kenë frikë nga zemërimi ynë fale dështimeve të tyre, Ne u dashka që të kemi frikë nga hakmarrja e tyre. Kjo atmosferë politike sipas të gjitha teorive politike cilësohet vetëm si DIKTATURE MONISTE (qeverisje njëpartiake) dhe AUTOKRACI kur një person me zor dëshiron të udheheqi me shtetin, pa pyetur fare për mendimin e të tjerëve.
Një klimë e tillë politike nuk është normale për vendet demokratike ku Ne pretendojmë nesër të bëjmë pjesë, sepse atje njerëzit votojnë sipas bindjeve të tyre, me zemër dhe shpirt të lirë, pa u brengosur për ardhmërinë nga hakmarrja e pushtetarëve. Prandaj, diplomatë të huaj na vizitojnë për ditë dhe na japim leksione se si duhet të sillemi gjatë votimeve, se si qytetari i lirë duhet të merr përgjegjësinë për fatin e vet dhe të femijëve.
Sepse në fund të fundit edhe Ne si votues ndajmë pjesën e përgjegjësisë për heshtjen tonë, si intelektualë dhe qytetare, për vetë faktin që s’kemi shfytëzuar rastin që me votën tonë ta bëjmë ndryshimin, t’i dënojmë ata që s’i kanë bërë punët për të cilat janë zotuar, me atë se do t’ jepet besimi dhe shansi të tjerëve për t’i çuar proceset përpara. Një gjë e tillë do të ishte e dobishme jo vetëm për qytetarët, por edhe për politikanët. të cilët do të vetëdijësohe(shi)n që nesër ta bëjnë punën e tyre më me përgjegjësi, sepse edhe atyre që vijnë pas, mund t’u vijë i njëjti dënim në zgjedhjet e ardhshme, njësoj si këtyre më përpara.

Si përfundim, nëse sot nuk e marrim këtë guxim, por nisemi nga interesat e vogla momentale, nuk do të kemi nesër të drejtë morale të luajmë rolin e të “pafajshmit”, dhe të ankohemi nëpër çajtore dhe kafene, se të gjithë politikanët gjoja janë njësoj, se ata vetëm na mashtrojnë dhe nuk i mbajnë premtimet. Sepse edhe Ne do ta kemi fajin që nuk i dënuam ata kur e kishim mundësinë, me çka edhe jemi pajtuar dhe kemi dhënë pëlqimin për situatën e tillë, falë mosbërjes së punës tonë dhe mosmarrjes së përgjegjësisë tonë, si qytetarë të pjekur që dijmë të arsyetojmë dhe dijmë të vlerësojmë, dhe që nuk jemi aq naivë sa të na mashtrojë secili, por përkundrazi edhe Neve na ka ardhur mirë të na mashtrojnë dhe do ta durojmë këtë burrërisht, pasi aq dhe kemi merituar!

Exit mobile version