Site icon PORTALB

Zaev: Shteti kompanive u ka borxh 1 miliard euro

OEMVP-ZAEV

Supozohet se institucionet në nivel lokal dhe qendror kompanive u kanë borxh prej 1 miliard euro. Këtë sot e tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në takim me Odën ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP)

“Një prej gjërave që do ta bëjmë në kohë është kthimi i borxheve të grumbulluara me muaj të tërë. Kërkesa për kthimin e TVSH-së në këtë shtet shihet si mëkat, në vend të parave do të merrni kontrollime” theksoi Zaev.

Në pyetjen e gazetarëve lidhur me subvencionet që i marrin kompanitë e huaja në zonat e lira ekonomike, Zaev tha se ata marrin prej 3 deri 8 mijë euro subvencione për punëtor, që kompanitë e vendit i vendos në pozitë të palakmueshme.

“Subvencionet që u jepen kompanive të huaja, kompanitë vendore i vendosin në pozitë të palakmueshme. Njëkohësisht u mundësohet t’i thithin resurset nga kompanitë e vendit gjegjësisht ta tërheqin tanimë kuadrin e krijuar. Në programin tonë ekonomik parashohim 140 milion euro për subvencione për kompanitë vendore që do t’i shpërndajmë në katër vitet e ardhshme” theksoi Zaev.

Përfaqësuesit e OEMVP sot biseduan me kreun opozitar Zaev, Oliver Spasovskin, Dragan Tevdoskin dhe Petre Shilegovin për programin ekonomik të LSDM-së, por edhe për platformën që kjo Odë ua paraqiti politikanëve para zgjedhjet të 11 dhjetorit për përmirësimin e ekonomisë vendore.

Kryetari i Odës, Nebi Hoxha theksoi se 80% e kërkesave që i ka në platformë, janë edhe në programin ekonomik të kësaj partie.

“Kërkuam reforma në institucionet publike, transparencë më të madhe nga pushteti, llogaridhënie, rritjen e PBV-së. Rritja e pagës minimale në 16.000 denarë dhe rrogë mesatare prej 500 euro nuk është reale nëse na mundësohet këtë ta bëjmë në një periudhë të ardhshme” shtoi Hoxha.

Exit mobile version