Site icon PORTALB

Formohet “kabineti i bardhë” i Donald Trump

Donald Trump

Opinioni publik amerikan dhe ndërkombëtar është duke pritur publikimin e emrave kyç që do ta përbëjnë kabinetin e ri të Donlad Trump, i cili me një fitore befasuese u zgjodh presidenti i 45-të i SHBA-ve, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump po vazhdon punimet për formimin e kabintetit të tij.

Ndërsa janë bërë të qartë pesë emra që do të marrin pjesë në kabinet, pritet me kurreshtje të shihet së kush do të merr pozitat e departamenteve të rëndësishme, siç është Departamenti i Shtetit.

– A do të jetë “racist” dhe “seksist” kabineti i Trump?

Vëmendje tërheq fakti që pesë personat të cilët Trump i ka zgjedhur deri më tani në pozita të rëndësishme janë të gjithë meshkuj dhe të bardhë. Fakti që nuk ka asnjë afro-amerikan dhe asnjë grua në mesin e emrave të shpalosur deri më tani, ka çuar në parashtrimin e pyetjes “A do të jetë ‘racist’ dhe ‘seksist’ kabineti i Trump?”.

Nga ana tjetër, emrat të cilat Trump ka caktuar si bashkëpunëtorë të afërt njihen për fjalët negative kundrejt pakicave, muslimanëve dhe migrantëve të tjerë, gjë që ka gjeneruar shqetësime në mesin e grupeve të lartëpërmendura.

– Zv/president konservator

Zv/presidenti i ri dhe krahu i djathtë i Trump, Mike Pence, njihet si konservator i vendosur. Para se të zgjidhej kandidat për zv/president nga ana e Trump, ai ka ushtruar detyrën e guvernatorit të Indiana-s, ndërsa para kësaj kishte përfaqësuar shtetin e Indiana-s në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-ve.

I shkolluar në fushën e drejtësisë dhe me përvojë pune edhe si prezantues në radio, 57-vjeçari Pence shfaq qëndrim konservator në tema si migrimi, aborti dhe të drejtat e homoseksualëve.

Emërimet e para të larta pas zgjedhjes së Trump u shpalosën nga ekipi i tranzicionit.

Trump vendosi që në detyrën e Shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë ta sjellë kryetarin e Komitetit Nacional republikan Rence Priebus, ndërkohë që si kryekëshilltar strategjik ka caktuar menaxherin e fushatës, Stephen Bannon.

Donald Trump i ka përkufizuar si “liderë të kualifikuar” Priebus dhe Bannon, me të cilët së bashku udhëhoqi fushatën.

44-vjeçari Priebus i cili fitoi besimin e Trump gjatë fushatës parazgjedhore, tërheq vëmendjen si një figurë me përvojë që e njeh prej së afërmi funksionimin e Washingtonit. Priebus, i cili njihet për lidhjet e tij të mira edhe me anëtarët e tjerë shquar të partisë krahas kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan, prej afërsisht pesë viteve ushtron detyrën e zëdhënësit të partisë.

Priebus do ta udhëheqë kuadrin administrativ të Trump dhe do të jetë përgjegjës për komunikimin mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit.

Megjithëse preferenca për Shef të Stafit është pritur pozitivisht veçanërisht nga pjesëtarët e partisë, mbështetja e tij e fuqishme ndaj diskursit të Trump në lidhje me muslimanët dhe migrantët gjatë fushatës, ka shkakutar shqetësime te këto grupe.

Ndërkaq, menaxheri i fushatës i cili u zgjodh kryekëshilltar strategjik i Trump, Stephen Bannon, ka hapur debate madje edhe brenda vetë Partisë Republikane.

I zgjedhur si këshilltar senior nga Trump, Stephen Bannon është figurë pikëpamjeve “raciste” dhe “djathtiste” të të cilit anëtarët e partisë u janë qasur me distancë.

Para se të bëhej menaxher i fushatës parazgjedhore të Trump, Bannon kryesonte kompaninë mediatike Breitbart, e cila ishte në fokusin e kritikave për retorikë ksenofobe dhe të urrejtjes. Me deklaratat e tij jashtë linjës së Partisë Republikane ai kohë pas kohe është përballur me kritika, ndërsa ardhja e tij në këtë detyrë është komentuar si “shqetësuese” nga shumë qarqe në vend.

Në mesin e atyre që kanë kundërshtuar emërimin e Bannon në një pozitë kyçe ka edhe muslimanë amerikanë. Organizata më e madhe muslimane e shoqërisë civile në SHBA, Këshilli për Marrëdhënie Amerikane-Islame (CAIR), ka dënuar caktimin e Bannon-it në detyrë të lartë.

– Jeff Sessions – Prokurori i Përgjithshëm

Ndërkaq, emri të cilin Trump e ka menduar për ta sjellë në krye të Departamentit të Drejtësisë është senatori i Alabamas nga Partia Republikane i cili ishte personi i parë që shpalli mbështetjen për të, Jeff Sessions. 69-vjeçari dhe ish-prokurori Sessions, ishte kundër reformave për migrimin derisa ushtronte detyrën në Komitetin e Drejtësisë të Senatit në të cilën gjendej që nga viti 1997.

Në vitet e 80-ta ai kreu detyrën e Prokurorit të Alabamas; në vitin 1986 u emërua si kandidat për gjykatën federale nga presidenti i atëhershëm Ronald Reagan, ndërkohë që Komiteti i Drejtësisë i Senatit i dominuar nga republikanët nuk e pa të përshtatshëm atë për këtë detyrë për shkak të komenteve dhe aktiviteteve të tij raciste. Në vitin 1995 ai u zgjodh prokuror i Alabamas; në zgjedhjet e vitit 1996 u zgjodh senator, ndërsa më vonë mori detyrë në komitetin i cili paraprakisht ia kishte mohuar gjykatën federale.

– Mike Pompeo – CIA

Gjithashtu, theksohet se Trump në krye të Agjencisë Qendrore e Inteligjencës të SHBA-ve do ta sjell anëtarin e Kongresit Mike Pompeo.

Pompeo, i cili ka ushtruar detyrën në tre mandate në Komitetin e Inteligjencës pranë Dhomës së Përfaqësuesve, u bë emër që u ngrit në parti pas kritikave të ashpra ndaj kandidates demokratike Hillary Clinton, me detyrën që e mori përsipër gjatë hetimit në lidhje me sulmin e organizuar ndaj Konsullatës Amerikane në Bengazi të Libisë.

Sipas faqes së internetit të përgatitur në emër të tij, 52-vjeçari Pompeo ka mbaruar akademinë ushtarake në West Point me sukses të shkëlqyeshëm, kurse detyrën e kishte nisur si oficer i këmbësorisë. Më vonë Pompeo u nda nga ushtria, për t’u diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Harvard dhe themeluar “kompani për prodhim pajisjesh, distribuim dhe shërbime”.

Pompeo ka kundërshtuar ashpër marrëveshjen bërthamore të arritur me Iranin, ndërsa është i mendimit se Edward Snowden – ish-analisti i sistemit në Agjencinë Kombëtare të Sigurisë (NSA) i cili ka shpalosur disa aktivitete të përgjimit të institucionit përmes dokumenteve që ka plasuar në media – është tradhtar i kombit dhe duhet ekzekutuar.

– Michael Flynn – Këshilltar i Sigurisë Kombëtare

Në postin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare pritet të ulet pensionisti 57-vjeçar Gjeneral Lejtnant Michael Flynn, i cili mori pjesë në ekipin e afërt të Trump gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.

Gjatë fushatës së Trump, Flynn shërbeu si “kryekëshilltar për siguri dhe inteligjencë”, ndërsa njihet si “ushtarë me përvojë” i cili më herët ka qenë edhe në Afganistan dhe Irak.
Fakti që nuk do të ketë nevojë për miratim nga Kongresi në rast të pranimit të detyrës së Flynn, mund ta përshpejtojë procesin e fillimit të detyrës nga gjeneral lejtnant pensionist.

Emri i tij është përmendur edhe për Departamentin e Drejtësisë, ndërkohë që për t’u zgjedhur në këtë detyrë duhet të kalojnë shtatë vite nga pensionimi i tij. Sipas kësaj, Flynn, i cili është pensionuar në vitin 2014, mund të ketë nevojë të presë edhe pesë vite, megjithatë, nëse përkohësisht ndryshohet neni relevant i Kongresit, atëherë mund të hapet rruga që Flynn të zgjidet në krye të këtij departamenti.

Gjatë periudhës së Barack Obamas Flynn kishte ushtruar detyrën e drejtorit të Agjencisë së Mbrotjes dhe Inteligjencës, kurse detyrës punës së tij i kishte dhënë fund në vitin 2014.
Gjeneral Lejtnanti i pensionuar Flynn para një kohe të shkurtër po ashtu kishte shkruar një shkrim në lidhje me kreun e Organizatës Terroriste FETO, Fetullah Gülen.

“Është e palogjikshme që t’i bëjmë obstruksion aleatit tanë në NATO, Turqisë, derisa Washingtoni mashtrohet nga ky burim terrori të maskuar dhe jostabiliteti i vendosur lirshëm në kopshtin tonë të pasmë në Pennsylvania. Sipas Turqisë, Washingtoni është duke strehuar Osama bin Ladenin e Turqisë. Çfarë do të bënim ne sikur pas 11 shtatorit të mësonim se Osama bin Laden jeton në një fshat të bukur të Turqisë dhe në të njëjtën kohë menaxhon 160 shkolla që financohen nga taksapaguesit turq?”, ishte shprehur Flynn në shkrimin e tij.

– Emrat e përmendur për kabinetin e ri

Opinioni publik amerikan dhe ndërkombëtar është duke pritur publikimin e emrit të cilit Trump do t’ia dorëzojë politikën e jashtme.

Ende nuk dihet se kush do të jetë në krye të Departamentit të Shtetit që do ta kryesojë diplomacinë amerikane, megjithatë, pohohet se Trump për këtë detyrë e ka menduar kandidatin presidencial të republikanëve në vitin 2012, Mitt Romney, i cili kishte drejtuar kritika të rënda ndaj Trump gjatë fushatës së tij zgjedhore.

Trump dhe Romney u takuan javën e kaluar në klubin e golfit të Trump në New Jersey. Megjithëse në mediumet amerikane zunë vend lajmet se Trump i ka ofruar Romney-t detyrën e Sekretarit të Shtetit, në lidhje me çështjen nuk kishte asnjë deklaratë si nga tabori i Trump-it, njashtu as nga Romney.

Romney kishte akuzuar Trump-in për mashtrim dhe dredhi dhe u kishte bërë thirrje republikanëve që të mos e votojnë atë. Ndërkaq, pasi fitores në zgjedhje, Romney thirri në telefon Trump-in dhe e uroi atë për fitoren.

Trump e kishte cilësuar Romney-n si “humbës”. Ai kishte thënë se Romney e ka përgjëruar atë për mbështetje, ka zhvilluar fushatë shumë të dobët zgjedhore dhe se ka humbur “si qen”.

Mes viteve 2003 dhe 2007 Romney kishte ushtruar detyrën e guvernatorit të Massachusetts-it. Në vitin 2012 ai ishte kandidat presidencial në radhët e Partisë Republikane, mirëpo fitimtari i zgjedhjeve doli Barack Obama.

Një tjetër pikë që tërheq vëmendjen është janë divergjencat në pikëpamjet e tyre sa i përket politikës së jashtme. Gjatë dhe pas fushatës së tij, Trump shprehu gatishmërinë e tij për zhvillimin e marrëdhënieve me Rusinë; ndërkaq, Romney e kishte shpallur Rusinë armik të SHBA-ve.

– James Mattis – Departamenti i Mbrojtjes

Donald Trump mendon që në funksionin e Sekretarit të Mbrojtjes ta sjellë gjeneralin e pensionuar James Mattis.

Në deklaratën në rrjetet sociale, Trump njoftoi se në pozitën e Sekretarit të Mbrojtjes e ka menduar gjeneralin e pensionuar James Mattis, të cilin e cilësoi si “shumë efikas” dhe “gjeneral i vërtetë”.

Gjatë karrierës së tij 44-vjeçare, James Mattis kishte rol të rëndësishëm në okupimin amerikan të Afganistanit dhe Irakut. Ai kishte udhëhequr luftimet e përgjakshme në Falluxha. Sipas lajmit në CNN, Mattis kishte nxitur reagime gjatë fjalimit të tij në adresë të ushtarëve në Sand Diego në vitin 2005, me ç’rast ishte shprehur se “Është zbavitëse të hapësh zjarr ndaj disa njerëzve”.

– Ben Carson – Departamenti i Banimit dhe Zhvillimit Urban

Trump ka deklaruar se në krye të detyrës së Sekretarit të Banimit dhe Zhvillimit Urban e ka menduar Ben Carson-in, të cilin e njeh nga afër dhe e ka cilësuar si “të talentuar”.

Ndërkaq, thuhet se Carson, emri i të cilit është përmendur edhe për funksione të tjera në kabinet, nuk e ka pritur aq pozitivisht detyrën.

Në një deklaratë për Washington Post, Carson ka thënë se preferon të punojë jo brenda, por jashtë kabinetit.

Nëse pranon ofertën, Carson do të jetë afro-amerikani i parë në kabinetin e Donald Trump.

Neurokirurgu 65-vjeçar dhe kandidati në zgjedhjet preliminare në Partinë Republikane Carson, në muajin mars i dha fund kandidaturës së tij dhe shpalosi mbështetjen e tij për Trump.

Exit mobile version