Site icon PORTALB

Për dhjetë vite, Tetova e para në Maqedoni për nga numri i banesave të ndërtuara

Tetova

Komuna e Tetovës është e para në Maqedoni në dhjetë vitet e kaluara për nga numri i banesave të ndërtuara, por dhe për nga vlera e investuar në ndërtimin e objekteve për banim. Sipas evidencës zyrtare, Tetova, Ohri dhe Qendra në Shkup, janë tre komunat ku më së shumti janë ndërtuar banesa në Maqedoni përgjatë periudhës 2005-2014.

Të dhënat e Entit të Statistikës tregojnë se në dhjetë vitet e kaluara, Tetova është e para me 5242 banesa të ndërtuara, e pasuar nga Ohri me 4386 banesa dhe komuna Qendër në Shkup me 3429 banesa. Në vendin e katërt është komuna Aerodrom me 3115 banesa, në vendin e pestë është Gostivari me 3075 banesa dhe në vendin e gjashtë është komuna e Karposhit me 2746 banesa, shkruan gazeta Koha.

Tetova prinë edhe listën për nga vlera e investimeve në ndërtimin e objekteve banesore përgjatë periudhës 2007-2014 sipas vleftës së investuar në të holla.

Analiza e të dhënave statistikore tregon se përgjatë kësaj periudhe tetëvjeçare, në vendin e parë me 9.260.075 mijë denarë apo afër 150 milionë euro është Tetova, e pasuar nga Komuna e Aerodromit me 8.767.004 mijë denarë apo afër 142 milionë euro, ndërsa në vendin e tretë është Gostivari me 8.558.695 mijë denarë, apo afër 139 milionë euro.

Në vendin e katërt dhe të pestë janë komunat Qendër dhe Karposh, me nga 7.146.909 mijë denarë , respektivisht me 6.210.136 mijë denarë.

Exit mobile version